Tregu i patundshmërive në Kosovë po karakterizohet nga një situatë kontradiktore, ku numri i banesave që nuk shfrytëzohen po rritet ndjeshëm, ndërsa çmimet e pronave vazhdojnë të shënojnë rritje, transmeton Gazeta Metro.
Sipas të dhënave të publikuara nga Perspektiva.info, në Kosovë janë evidentuar rreth 207 mijë banesa të pabanuara, përballë afërsisht 366 mijë familjeve që jetojnë në vend.
Shifrat tregojnë një ndryshim të madh gjatë 13 viteve të fundit. Numri i banesave të pabanuara është rritur për 107 për qind, ndërsa rritja e numrit të familjeve gjatë së njëjtës periudhë ka qenë vetëm 23 për qind.
Për krahasim, para 13 vjetësh në Kosovë numëroheshin rreth 300 mijë familje, ndërsa numri i banesave të pabanuara ishte nën 100 mijë.
Ndërkohë, aktualisht janë rreth 358 mijë banesa të banuara, por një pjesë e tyre shërbejnë si vendbanim për më shumë se një familje. Nëse vazhdon ritmi aktual i rritjes së banesave të pabanuara, projeksionet sugjerojnë se deri në vitin 2038 numri i tyre mund të jetë më i madh sesa ai i banesave ku jetohet.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë situatë është fakti se shtimi i pronave të pashfrytëzuara nuk po shoqërohet me ulje të çmimeve. Përkundrazi, banesat dhe pronat në Kosovë po vazhdojnë të shtrenjtohen.
Ndër faktorët që mund të ndikojnë në këtë zhvillim përmenden investimet e qytetarëve nga diaspora, si dhe blerja e banesave jo domosdoshmërisht për banim, por si mënyrë për të investuar dhe ruajtur kapitalin.
Megjithatë, vëmendje të veçantë paraqet edhe mundësia e keqpërdorimit të sektorit të ndërtimit dhe tregut të patundshmërive për futjen në qarkullim të parave me prejardhje të paligjshme.
Kjo çështje është ngritur edhe në dokumente institucionale. Në Vlerësimin Kombëtar të Rrezikut për Shpëlarjen e Parave dhe Financimin e Terrorizmit të vitit 2020, sektori i ndërtimit dhe ai i patundshmërive janë identifikuar si fusha me ndjeshmëri të lartë ndaj rrezikut të shpëlarjes së parave./gazetametro.net