Loading…

Monologu prekës i vëllait të Jakup Krasniqit: Erdha të të përqafoj, por nuk më lanë

  • 23/11/2026 | 21:57

Monologu prekës i vëllait të Jakup Krasniqit: Erdha të të përqafoj, por nuk më lanë

Një rrëfim emocional për pamundësinë e takimit me vëllain e tij, Jakup Krasniqin, ka ardhur nga Daut Krasniqi, i cili gjatë qëndrimit katërditor në Kosovë kishte tentuar ta vizitonte ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Gazeta Metro.


Dauti, 87-vjeçar, ka shprehur dhimbjen dhe zhgënjimin për pamundësinë që ta takonte dhe përqafonte vëllain, pavarësisht përpjekjeve të bëra gjatë ditëve që qëndroi në vendlindje.

Ai e ka rrëfyer këtë përjetim në një monolog për emisionin “Fiks Fare” në Shqipëri, ku ka kujtuar fëmijërinë e përbashkët, lidhjen familjare dhe rrugëtimin e Jakup Krasniqit gjatë angazhimit të tij në luftën për çlirimin e Kosovës.

Në fjalët e tij, Dauti ka rikujtuar se me vëllain kishin ndarë gjithçka që nga fëmijëria, ndërsa pamundësinë për ta takuar pas kaq shumë vitesh e ka përshkruar si një dhimbje të veçantë.

Ai ka treguar se kishte shkuar me shpresën për ta përqafuar, por ishte njoftuar se takimi nuk mund të realizohej në mënyrën që kishte dëshiruar. Gjatë rrëfimit, 87-vjeçari ka kujtuar edhe periudhat e vështira të jetës së vëllait të tij, angazhimin në ilegalitet, burgosjen dhe qëndrimin e palëkundur për të mos u larguar nga Kosova.

Dauti ka përmendur gjithashtu momentet historike të lidhura me luftën, përfshirë vizitën e Adem Jasharit në shtëpinë e tyre, duke bërë një krahasim emocional me vizitën e tij të fundit te dera e vëllait, pa arritur ta takonte.

Pjesë nga monologu i Daut Krasniqit:

“Jakup, Dauti jam, mos e hap derën se sot e ka blloku tjetër kush.

Na jemi rritë bashkë në gjinin e nanës, e kemi nda bashkë bukën për gjysmë. Teshat i kemi ndërru. Kurrë fjalë t’keqe s’kemi pasë për 87 vjet. E sot ke ardhë, po nuk po muj me të pa.

Po du me të përqafu po s’po muj.

Më thanë bac, nuk mun me hi, mun me hi po na e prish vizitën. Unë i thashë, jo bacit me prishë e prishtë është boll, po qysh me ndreq.

Kur u ktheva, e mora telefonin, e pashë: Jakup Krasniqi u nis prej Hagës.

Unë mendova se muj me të pa, sikur kur na vdiq vëllau e jemi pa. Kësi hovi hiç.

Po nuk e di çfarë drejtësie është kjo.

Kur e pashë televizorin kur dole për herë të parë si zëdhënës i UÇK-së, i tregove botës për një ushtri çlirimtare dhe kurrë s’u friksove prej armikut e s’u ndale kurrë. I more me vete vëllezërit, djemtë e shokët. Luftove për këtë tokë të Kosovës dhe je kanë i bindun se ke me fitu dhe fitove dhe kurrë s’u ndale për këtë tokë.

Jakup ti erdhe, por nuk mujta me të pa dhe me të përqafu se nuk ka kund në botë, me ardhë e me ta ndalu përqafimin tonë.

Unë i kam 87 vjet por të pres të vish në liri.

Jakup nuk të lash me shku me dhe e dele, po të çova në shkollë, unë nihna fajtor që të çova në shkollë, e sot erdhe e nejte katër ditë e s’mujta me ta pa fytyrën e me të përqafu, nuk na lanë njerëzit e paftytyrë të rrimë bashkë.

Nuk ka kund në botë të luftosh për vendin e vet, që e kanë çliruar vendin e vet dhe me i gjyku jashtë.

Kur doli me hy në ilegalitet, i thash o vëlla a e di ku je hy? Tha po, kjo është e kryme. Shkoi, isha në Zvicër unë, e dërguan në burg, pas burgut doli, për ditë e rrehshin, një ditë i thashë po hajde në Zvicër si krejt shokët tu. Tha po të tham se po ta doja Amerikën do të kisha ikë në 81-tën, po s’kam dashtë me ikë.

Ooo Jakup, a e mban mend kur ia qelëm derën Adem Jasharit me shokët e vetë, e sot unë erdha te dera jote..

Jakup, kur ke hy në burg, e kam ditë që ke me u lëshu, e tash s’po kam besim në ta hiç. Po shihet… sa i dënuan ata, para tyne, 26 vjet me të thana të hallkut, jo e kanë vra, jo se kanë vra..

I bana 87 vjet, erdha te dera me të përqafu dhe nuk u takuam. Të pashë tuj i përqafu nipat e mbesat, po ne s’u përqafuam. Por të pres në Kosovën tonë të dashur”./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë