Ardian Ismajli mund të përballet me një periudhë disa javore larg fushës së blertë, pas lëndimit që pësoi në ndeshjen e fundit të Torinos kundër Napolit.
Skuadra napolitane triumfoi me rezultat minimal 1:0 në takimin e vlefshëm për javën e 12-të të Serie A, ndërsa për mbrojtësin shqiptar ndeshja përfundoi para kohe. Ismajli u zëvendësua në minutën e 72-të, pasi ndjeu dhimbje në pjesën e kofshës së majtë.
Gjendja e futbollistit ka ngritur shqetësime në kampin e Torinos, me stafin mjekësor që pritet të kryejë ekzaminimet përkatëse për të kuptuar më saktë natyrën e dëmtimit dhe kohëzgjatjen e rikuperimit.
Pas përfundimit të takimit, trajneri i Torinos, Ignazio Abate, la të kuptohej se përveç problemit në kofshë, Ismajli mund të ketë pësuar edhe një frakturë në njërin prej gishtave të dorës.
Situata bëhet edhe më shqetësuese duke marrë parasysh historikun e lëndimeve të mbrojtësit shqiptar. Gjatë sezonit të kaluar, 30-vjeçari pati disa probleme muskulore, të cilat e detyruan të mungonte në 12 ndeshje të kampionatit italian dhe në dy përballje të Kupës së Italisë.
Në sezonin aktual, Ismajli ka regjistruar 13 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e Torinos. Tashmë, mbetet të shihet se çfarë do të zbulojnë kontrollet mjekësore dhe sa do të zgjasë mungesa e tij.