Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ngriti dyshime për manipulime në tregun e energjisë elektrike në Kosovë, duke përmendur kompaninë NOA dhe biznesmenin Vuk Hamoviqi, transmeton Gazeta Metro.
Ajo tha se para 18 muajsh kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale informacione lidhur me dyshimet për ndikim në rritjen e çmimeve të energjisë.
Ymeri pretendoi se të dhënat e Zyrës së Rregullatorit për Energji mbështesin shqetësimet e saj për lëvizjet dhe manipulimin e çmimeve.
“E ka pësuar konsumatori fundor”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse në këtë çështje është përfshirë edhe kryeministri Albin Kurti, deputetja u përgjigj: “Mendoj që po”.
Ymeri foli edhe për importin dhe tregtinë e energjisë me Serbinë, duke kundërshtuar interpretimet e Qeverisë lidhur me të dhënat e origjinës së produkteve në Doganë. Ajo argumentoi se vendi i regjistruar si origjinë në dokumentacionin doganor nuk përcakton domosdoshmërisht burimin e energjisë apo përfituesin e transaksionit.
“Këto muhabete nuk mundet me mi shitë mu”, u shpreh ajo.
Në fund, deputetja këmbënguli se ka pasur tregti të energjisë me Serbinë. “E vërteta është që edhe e kanë pranuar se ka pasur tregti me Serbinë dhe nuk po munden ta demantojnë”, deklaroi ajo./gazetametro.net