Njohësit e integrimeve evropiane kanë kritikuar Bashkimin Evropian për zvarritje të procesit rreth liberalizmit të vizave për Kosovën.
Ata kanë thënë për gazetën Nacionale se vendet anëtare të BE-së duhet që sa më shpejt të marrin vendim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në këtë mënyrë, sipas tyre, BE-ja po i trajton kosovarët si qytetarë të dorës së dytë, duke deklaruar vetëm mbështetje boshe.
Njohësi i proceseve integruese, Shqiprim Pula, ka thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë të lëvizin pa viza në zonën Schengen.
“Kosovës nuk i duhet me tej përkrahje boshe, por guxim politikë e vendim-marrje nga ana e Unionit Evropian, përkatësisht vendeve anëtare të UE-së, për qytetarët e Kosovës, që t’ua njohin statusin e të qenit qytetarë të barabartë duke respektuar parimin bazë atë të qarkullimit të lirë të njerëzve, gjithandej zonës Schengen. Kjo, për faktin se, Kosova tashmë ka paguar një çmim të rëndë për sa i përket kritereve të kërkuara për jetësim, duke i bërë reformat strukturore ekonomike; ato të forcimit të shtetit të së drejtës; edhe ato të përmirësimit të cilësisë në administratën publike; e të gjitha këto reforma janë thelbësore për marrjen e liberalizimit të vizave dhe jo udhërrëfyesve!. Ky udhërrëfyes i paralajmëruar (nëse vendoset) do të jetë dëshpërimi i radhës për ne”, ka thënë Pula.
Sipas tij, Kosova ka përmbushur më së shumti kritere për këtë proces. “Nga politikanë e burokratë normal të vendeve anëtare dhe të institucioneve të UE-së, do duhej përmes një vendim-marrje të radhës të hiqnin regjimin e vizave për Kosovën, të konfirmonin vërtet të ardhmen e Republikës së Kosovës dhe gjithë rajonit në Union Evropian, kështu, duke e rikonfirmuar interesin e përbashkët strategjik drejtë përafrimit me UE-në”, ka thënë Pula.
Kurse, ish-ministri i Integrimit Evropian i Kosovës, Blerim Reka, ka thënë se nuk ka shpjegim racional pse BE-ja nuk po i liberalizon vizat për Kosovën.
“Kosova mbeti e vetmja në rajon pa regjim të lirë vizash edhe pse i plotësoi 95 kriteret e kërkuara, apo dyfishin e atyre që u kërkoheshin shteteve fqinjë, vizat për të cilët u hoqën para gati 15 vitesh. Teknikisht, u plotësuan kriteret e kërkuara dhe nuk mund të gjej shpjegim racional pse disa shtete hezituese mbajnë ende të ulur postbllokun e fundit të BE-së, vetëm ndaj Kosovës”, ka deklaruar Reka.
Nuk ka udhërrëfyes të ri për viza
Komisioni Evropian sot ka sqaruar se nuk ka planifikuar asnjë udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën, siç ishte paralajmëruar një ditë më parë.
Në një përgjigje për gazetën , KE-ja ka vlerësuar se Kosova i ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave. “Komisioni vazhdon të qëndrojë prapa vlerësimit të tij të korrikut të vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, të përcaktuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave nga viti 2012 në lidhje me ripranimin dhe riintegrimin, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe menaxhimin e kufirit, rendin dhe sigurinë publike dhe të drejtat themelore të lidhura me lirinë e lëvizjes”, është thënë në përgjigjen e KE-së.
Ky institucion i BE-së ka vlerësuar se vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është i vonuar.
“Vendimi për t’i hequr vizat për qytetarët e Kosovës është vendim i vonuar gjatë, që është në pritje në Këshill. Ne e pranojmë faktin se disa shtete anëtare mbajnë shqetësime në pritje për çështjet si lufta kundër korrupsionit, pretendimet e rreme për azil dhe siguria e dokumenteve, të mbuluara nga udhërrëfyesi. Komisioni qëndron i gatshëm për t’i përkrahur punën dhe bashkëpunimin e mëtejmë mes shteteve anëtare dhe autoriteteve të Kosovës për t’i adresuar këto çështje”, kanë thënë nga Komisioni për Nacionalen, duke shtuar se nuk do të këtë një udhërrëfyes të ri për Kosovën.
“Nuk po flasim për një udhërrëfyes të ri. Sapo të miratohet liberalizimi i vizave për Kosovën, Komisioni do ta vëzhgojë më tej zbatimin e vazhdueshëm të kërkesave përmes mekanizmit për pezullimin e vizave dhe procesit të Stabilizim-asocimit”, është thënë theksohet në përgjigje.
Komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, në debatin që u zhvillua të hënën në Parlamentin Evropian, paralajmëroi një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky paralajmërim ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.