Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka vendosur t’i pajisë me licenca të reja dy termocentralet e Kosovës, “Kosova A” dhe “Kosova B”, për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe për bashkëprodhimin e energjisë elektrike dhe asaj termike, transmeton Gazeta Metro.
Sipas njoftimit të publikuar nga ZRrE-ja në Facebook, licencat do të vlejnë nga 9 tetori 2026 deri më 17 gusht 2028.
Në të njëjtën mbledhje, Bordi ka miratuar edhe kërkesat për instalime të sistemeve të vetëkonsumit të energjisë elektrike.
“Gjithashtu, Bordi miratoi 53 aplikacione për autorizim për vetëkonsum, prej të cilave 46 nga persona fizikë dhe 7 nga persona juridikë, me kapacitet total të instaluar prej 816 kW. Në kuadër të kësaj seance, Bordi shqyrtoi edhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e ZRRE-së”, thuhet në njoftim./gazetametro.net