Loading…

ZRRE pezullon vendimin për faturat e shtrenjta të rrymës

  • 20/05/2022 | 22:01

ZRRE pezullon vendimin për faturat e shtrenjta të rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji e ka anuluar vendimin për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të mbajtur të premten mbrëma.


Kështu është bërë e ditur nga vetë ZRRE-ja me anë të një komunikate për media, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e pa si të jashtëligjshme.

“ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses”, u bë e ditur në komunikatë.

“Si pasojë e gjendjes së krijuar, Bordi i ZRRE-së me datë 20 maj 2022, në Seancën e jashtëzakonshme, ka nxjerr vendim, me të cilin shtyhet ekzekutimi i Vendimit V_1489_2022 i datës 08.02.2022, sipas Aktvendimit AA.nr.364/2022 të Gjykatës së Apelit”, përfundon njoftimi i ZRRE-së.

Gjykata e Apelit e Kosovës vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e reja. Apeli ka vendosur pas ankesës së ZRRE-së, duke thënë se ishte e pabazuar.

“Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së”, thuhet në një komunikatë për media të Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill kishte marrë vendimin për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

Por, ZRRE, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, pati thënë se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.

Procesi në gjykatë për të pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës ka nisur pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës “i dëmton qytetarët”.

ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, kishte miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.

Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Ata paguajnë 12.5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5.9 centë gjatë tarifave të ulëta.

Tarifa e lirë e energjisë elektrike në Kosovë vlen nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.

Nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lirë vlen nga ora 23:00 deri në 8 të mëngjesit. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.

Për konsumatorët që shpenzojnë më pak, çmimi i rrymës nuk ka ndryshuar – ata vazhdojnë të paguajnë 7 cent për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 cent gjatë tarifave të lira.

Shoqëria Civile, qytetarët, por edhe partitë politikë e kishin kundërshtuar vendimin për vendosjen e tarifave të reja të energjisë. Vendimi kishte marrë përkrahen e Qeverisë Kurti.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë