Loading…

Zhvendosja që shpërfytyron!

  • Nga

  • ARTON MUSLIU

  • 29/12/2020 | 14:42

Zhvendosja që shpërfytyron!

Politika e cila reduktohet në numra, shndërrohet në konstruksion matematikor. Sepse pikënisja tanimë nuk është ajo çfarë besojmë, sepse jemi transformuar, por ajo çfarë paraqesim si numër. E numri që përdoret si substitut i politikës, shndërrohet në garë e cila manifestohet po përmes numrave.


Shkruan: Arton Musliu

Politika është vlerë, ideal, bindje, përcaktim, qëllim, vizion dhe krejt në fund numër e procedurë. Një njeri, grup shoqëror apo parti politike, është në politikë për të përfaqësu, mbrojtë e avancu atë që ka si bindje politike e përcaktim ideologjik. Përcaktimi ideo politik apstrahon numrin si matematikë e sipërvendosë atë çfarë ju besoni si vlerë.

Pra, kur ju filloni një rrugë politike, e filloni atë sepse besoni, jo për shkak se mundeni në kuptimin matematikor të fjalës. Kështu ka qënë gjithmonë. Kështu mbase edhe do të jetë. Zhvendosja nga ky diskurs e delegjitimon qëllimin për të cilin jeni. Politika e cila reduktohet në numra, shndërrohet në konstruksion matematikor. Sepse pikënisja tanimë nuk është ajo çfarë besojmë, sepse jemi transformuar, por ajo çfarë paraqesim si numër. E numri që përdoret si substitut i politikës, shndërrohet në garë e cila manifestohet po përmes numrave. Garë për numra. Ndërkohë që gara do të duhej të zhvillohej për krejt diçka tjetër. Gara duhet të zhvillohet për programin politik që përfaqësojnë partitë politikë në cikle zgjedhore, përcaktimin ideologjik të tyre si dhe ideve progresive që duhet të ekzistojnë përkitazi me ballafaqimin me krizat dhe dinamikat shoqërore, politike e ekonomike.

Në vend që diskursi politik gjithandej të jetë për sfidat që i kemi si shtet, duke fillu nga pandemia, kriza financiare, keqqeverisja, subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit, dialogu me Serbinë e deri te sigurimi i funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve shtetërore, në shoqërinë tonë po ndodhë diçka që largon vëmendjen nga këto të fundit. Zhvendosja nga politika në numra, në fakt është shpërfytyrim, reduktim e tjetërsim i atyre të cilët deri sot kan folur për parime, drejtësi e zhvillim, e tani po flasin për numra, matematikë e procedurë. Pra, saktësisht ajo çfarë po ndodhë tani. Prandaj, le te flasim për ide, oferta e programe zgjedhore dhe jo për numra.

Disa nga shumë pyetjet që duhet të adresohen dhe të cilat duhet të marrin përgjigje nga partitë politike të cilat do të garojnë në zgjedhjet që vijnë, duhet të jenë:

–          Çfarë është zgjidhja e tyre në raport me pandeminë?

–          Cili është plani i tyre për tejkalimin e krizës financiare?

–          Çfarë është qëndrimi i tyre përkitazi me vakumin institucional që mund të ndodhë në Kosovë?

–          Cili është qëndrimi i tyre për dialogun me Serbinë, asociacionin e dokumentin e Uashingtonit?

–          Si do ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin?

–          Cili është programi i tyre për arsimin në kohën kur ka vështirësi të mëdha në këtë kohë?

–          Çfarë është qëndrimi i tyre në raport me Shqipërinë (bashkimin me Shqipërinë)?

–          Dhe cila është oferta e tyre për secilin preokupim, nevojë e interes të qytetarëve të Republikës.

Në të kundërtën, ne po rrëshqasim në një teren të numrave me ç’rast margjinalizimi i nevojave dhe interesave të qytetarëve të republikës, është i pashmangshëm. Pra, një zhvendosje që gjithsesi shpërfytyron!

(Autori është njohës i çështjeve juridike, botues i dy librave universitare nga shkencat juridike)

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë