Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka filluar periudha ligjore e aplikimit për regjistrim për votim për qytetarët që jetojnë jashtë vend në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komune në katër komunat në veri të vendit, shkruan Gazeta Metro.
KQZ njofton se ky afat do të jetë i hapur deri më 30 nëntor.
Ndërsa nga data 9 deri më 16 dhjetor do të bëhet votimi i atyre që janë regjistruar, ku dhe do të pranohen fletëvotimet me postë pranë këtij institucioni.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 26 nëntor ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Afati i aplikimit për këtë periudhë do të përfundojë më 30 nëntor 2022. Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë.
Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për votuesit > Votimi përmes postës) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj, pas regjistrimit, të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 9 dhjetor dhe përfundon me pranimin e fletëvotimeve më 16 dhjetor”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se dje ka përfunduar afati ligjor për certifikim të partive politike dhe të kandidatëve që do të marrin pjesë në garë.
Këto zgjedhje janë paraparë të mbahen më 18 dhjetor të këtij viti, por ajo çka dihet sigurt është se nuk do të marr pjesë në këtë proces partia politike e dirigjuar nga Beogradi, pra Lista Serbe.
Në afatin ligjor për deklarim për mos pjesëmarrje në këto zgjedhje, Lista Serbe, brenda afatit ligjor 15-19 nëntor ishte deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.
Më 14 nëntor të këtij viti, presidentja e vendit Vjosa Osmani, në konsultim me partitë politike, kishte caktuar datën 18 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat ku kryetarët e tyre dhanë dorëheqje, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Lista Serbe nën dirigjimin e Beogradit në fillim të këtij muaji morën vendim që të braktisin institucionet e Republikës së Kosovës, serbët të cilët punonin në sistemin e drejtësisë, sigurisë, administratës lokale, si dhe në postet politike, dhanë dorëheqje pa dallim.
Ata kanë një kërkesë të qartë, themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe./gazetametro.net