Loading…

‘Zgjedhje strategjike ose izolim’: SHBA’ja sërish thirrje Kurtit për projektin e gazit amerikan

  • 09/06/2026 | 15:36

‘Zgjedhje strategjike ose izolim’: SHBA’ja sërish thirrje Kurtit për projektin e gazit amerikan

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përsëritur thirrjen që Kosova t’i bashkohet projektit rajonal të gazit natyror, duke e konsideruar atë si një hap të rëndësishëm për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë po i kërkojnë hapur Republikës së Kosovës që t’i bashkohet projektit amerikan të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) dhe gjithashtu theksojnë përkrahjen edhe për të diversifikuar burimet e energjisë.

Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ambasada e SHB-së kanë thënë se Washingtoni zyrtar përkrah nismat që Kosova të diversifikojë burimet e saja të energjisë.

Në këtë përkrahje përfshihet përdorimi i teknologjisë amerikane për gazifikimin e qymyrit, përdorimin e burimeve të rinovueshme, dhe nxitja e Kosova për t’iu bashkuar tubacionit të gazit natyror, për të cilin e ngarkuara me punë Annu Pratipati është deklaruar javën e kaluar.

Ambasada amerikane thotë se është e qartë që Kosova s’është duke prodhuar mjaftueshëm energji për të plotësuar kërkesat e brendshme të qytetarëve.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin iniciativat për të diversifikuar burimet e energjisë në Kosovë. Kjo përfshin përdorimin e teknologjisë amerikane për gazifikimin e qymyrit, linjitin vendas, burimet e rinovueshme të energjisë dhe nxitjen e Kosovës për t’u bashkuar me tubacionin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) të përshkruar në artikullin tonë javën e kaluar. Një gjë është e qartë: Kosova aktualisht nuk prodhon energji të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën e brendshme”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së.

Ambasada amerikane tutje thekson se Kosova ka nevojë që t’i ketë në dispozicion të gjitha burimet e energjisë në mënyrë që të përmbushur rritjen e kërkesës në të ardhmen dhe gjithashtu për të zvogëluar varësinë nga importi i shtrenjtë i rrymës.

“Kosova ka nevojë për të gjitha burimet e energjisë në dispozicion për të përmbushur rritjet e pritura të kërkesës në të ardhmen, për të rritur diversitetin dhe sigurinë e energjisë, si dhe për të zvogëluar varësinë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike”, kanë thënë nga Ambasada amerikane.

Ambasada e SHBA’së thotë se çështja e diversfikimit s’është vetëm një aspekt teknik i zgjedhjes së një burimi të energjisë, por lidhet me sigurinë energjetike të Kosovës, që do të përballet me rritje të kërkesës në të ardhmen.

“Diversifikimi nuk ka të bëjë me zgjedhjen e një burimi mbi një tjetër; ka të bëjë me sigurimin që Kosova të ketë mundësi të shumta të besueshme në dispozicion për të përmbushur kërkesën në rritje në të ardhmen”, kanë përfunduar nga Ambasada e SHBA-së.

Ditë më parë e Ngarkuara me Punë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, ka deklaruar se Kosova, s’po arrin që t’i përmbushë kërkesat për furnizimin me energji, dhe se, në të ardhmen, kur kërkesat për rrymë do të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj.

Prattipati, në editorialin e saj, ka shtuar se, kësisoj, Kosova duhet t’i bashkohet projekteve amerikane të gazit natyre që janë planifikuar nëpër rajonin e Ballkanit, projekte të cilat, thekson ajo mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën.

‘‘Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji. Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj. Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën. Gazi natyror i lëngshëm amerikan (GNL) do të mundësonte shtimin e llojllojshmërisë në furnizimin me energji, do të plotësonte burimet e brendshme energjetike të Kosovës dhe do të përbënte edhe një lidhje tjetër në partneritetin ekonomik në rritje ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës’’.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë