Loading…

Zbulohet dosja e zhdukur për vrasjen e Aulon Zekës

  • 06/09/2018 | 09:57

Zbulohet dosja e zhdukur për vrasjen e Aulon Zekës

Vetëm një ditë pasi u raportua e një pjesë e shkresave të lëndës në rastin për vrasjen e Aulon Zekës, duke përfshirë edhe aktakuzën është zhdukur dhe nuk po gjendet, lënda është gjetur në Gjykatën e Apelit.


Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Lënda është gjetur me të gjitha shkresat të cilat ishin ngatërruar në një lëndë tjetër të krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit”, tha Jashari.

KALLXO.com raportoi dje se për disa ditë një pjesë e shkresave të lëndës në rastin për vrasjen e 16 vjeçarit, Aulon Zeka nuk po gjenden.

Afrim Zeka babai i të ndjerit, tha se ka kërkuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës nisjen e hetimeve për gjetjen e lëndës.

Pak minuta pasi u raportua se lënda për vrasjen e Aulon Zekës të cilën Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim nuk është kthyer e plotë, Gjykata e Apelit  thotë se lëndën e ktheu në Themelore të plotë.

Në një përgjigje, zëdhënësi i Apelit, Arbër Jashari tha se  Gjykata e Apelit e ka kthyer në Themelore lëndën e plotë.

Gjykata e Apelit është njoftuar ditë me parë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin, dhe menjëherë ka filluar një verifikim i brendshëm, lidhur me pretendimet në fjalë. Nga shikimi i regjistrave tanë,  rezulton se lënda PAM.nr.44/2018, është ekspeduar e plotë (lënda plus 1 folder)  në gjykatën e shkalles se parë, me 16.08.2018”, tha Jashari.

Se lënda është kthyer e plotë në Themelore, Jashari thotë se vërtetohet edhe nga nënshkrimi i zyrtarit administrativ të gjykatës themelore i cili e ka pranuar lëndën dhe nuk ka shfaqur ndonjë vërejte gjatë aktit të pranimit.

Gjithsesi Gjykata e Apelit, mirëpret çdo nisme institucionale  e cila do t’i kontribuonte zbardhjes se plotë të kësaj paqartësie dhe është e gatshme për bashkëpunim.

KALLXO.com ekskluzivisht raportoi sot se një pjesë e lëndës së Aulon Zekës nuk është kthyer në Themelore dhe si rrjedhojë ka penguar mbajtjen e gjykimit ndaj të miturve që ngarkohen për këtë rast.

Afrim Zeka, babai i të vrarit Aulon Zeka, është ankuar në KALLXO.com se lënda ndaj djalit të tij ka humbur dhe për këtë arsye nuk është mbajtur seanca e cila ishte paraparë të mbahet sot.

Ai në një deklaratë për KALLXO.com tregoi në lidhje me seancën e sotme.

“Deri sot deri diku jam kanë në rregull por sot shqetësimi im është shumë i madh për shkak që sot ka qenë seanca me u mbajt për vrasjen e djalit tem dhe seanca nuk u mbajt për një arsyeje palidhje, mungon dosja e aktakuzës. Se di a e kanë bo qëllimisht në Gjykatën e Apelit apo çka ndodh nuk e di”, tha Zeka.

Ai shtoi se ka bërë kërkesë në prokurori për hetim në lidhje me mungesën e lëndës.

“Menjëherë pas seancës e bana një kërkesë në prokurori për me hetu menjëherë rastin pse është fsheh a po mungon dosja e aktakuzës”, shtoi ai.

Në fund babai i të vrarit në vitin e kaluar Aulon Zeka, ka kërkuar nga ana e sistemit të drejtësisë të marrë çështjen me seriozitet.

“Deri tash e kam pas durimin, qysh edhe kur më kanë tregu qëdjali jem është gjendur i vrarë edhe atëherë kam qenë i durueshëm, le ta bon drejtësia punën e vet mos tëm shtinë me u marr me sene që nuk duhet me u marr”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe gjyqtaren e rastit Albina Rama, e cila tha se shtyerja e seancës është bërë për shkak të mungesave të shkresave të lëndës.

“Nuk na janë kthyer shkresat e lëndës, siç duket, fillimisht është ngatërru, kanë mbet, ose janë duke u shikuar krejt për atë lëndë dhe kjo është një prej arsyejeve pse e kemi shtyrë sot sepse na ka shkaktu pengesa në procedim për ekzaminim më tutje. Për momentin po themi se është ngatërruar dikun, nuk është kthy kështu që po presim”, tha Rama.

Ajo shtoi se nga Gjykata e Apelit nuk e kanë marrë lëndën komplet.

Një vit më parë 16 vjeçari, Aulon Zeka, ishte gjetur i vdekur në afërsi të shkollës “Model”, në Prishtinës, tre të mitur të tjerë që u gjykuan për këtë vrasje u njohën me dënimet e tyre.

Jo më shumë se 24 orë pas kësaj ngjarjeje tragjike, Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar dy persona të mitur, njëri i gjinisë mashkullore ndërsa tjetri i gjinisë femërore.

Një ditë më pas, Gjykata Themelore e Prishtinës ndaj dy të miturve kishte caktuar masën e paraburgimit ndërsa këtë masë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Përkundër arrestimit të dy të miturve u desh që të kalonin gati dy muaj deri sa Policia e Kosovës arriti të gjejë armën me të cilën dyshohej se u vra Aulon Zeka.

Seanca fillestare ishte mbajtur në muajin dhjetor dhe të miturit ishin deklaruar se janë të pafajshëm.

Përpos dy të miturve të parë, Prokuroria kishte përfshirë në propozim edhe të miturin e tretë, i cili ngarkohej për moslajmërim të veprës penale.

Edhe pse fillimisht Prokuroria i ngarkonte dy të miturit e parë për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, në muajin shkurt, prokuroria u tërhoq nga ky pretendim ndaj të miturës së dytë lidhur me veprën e vrasjes, ndërsa e rikualifikoi pretendimin në ndihmë kryesit të veprës pas veprës penale.

Gjatë gjithë seancave të mbajtura në Gjykatën Themelore të Prishtinës, shoqëria e Aulonit organizoi protesta ku kërkonte drejtësi për vrasjen e shokut të tyre.

Për zbulimin  e këtyre pretendimeve, avokati i familjes së Aulon Zekës në seancën e 9 marsit kishte kërkuar ekzaminimin ndërkombëtar të telefonit të Aulon Zekës sepse pretendonte se ekzaminimi nuk ishte bërë në mënyrën e duhur.

16 prilli shënoi fundin e këtij gjykimi.

Gjykata Themelore e Prishtinës gjeti fajtor të miturin e parë dhe i shqiptoi 9 vjet e 6 muaj dënim me burg për të mitur.

Të miturës i shqiptoi masën edukativo-korrektuese prej 3 vitesh ndërsa të miturit të tretë i shqiptoi mbikëqyrje nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej 1 viti e gjysmë.

Muajin e kaluar Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.Zbulohet dosja e zhdukur për vrasjen e Aulon Zekës

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë