I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Prishtinë- Beograd, Peter Sorensen, ishte direkt se zhvillimet në këtë proces nuk janë të nivelit të duhur dhe nga ajo që janë zotuar dhe për këtë ka kritikuar të dyja palët në proces, transmeton Gazeta Metro.
Diplomati danez që ndërmjetëson në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në intervistën ekskluzive për Gazetën Express ishte më direkt këtë herë rreth procesit.
“Por do të jem po aq i drejtpërdrejtë: sa u përket detyrimeve thelbësore të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit, zbatimi mbetet shumë nën nivelin e asaj për të cilën të dyja palët u zotuan – dhe atë çfarë qytetarët e tyre e meritojnë. Këtë ua kam thënë pikërisht si Beogradit, ashtu edhe Prishtinës, dhe fokusi im tani është t’i ndihmoj palët që t’i shndërrojnë ato zotime në realitet në terren.”
Sorensen shtoi tutje dhe theksoi se obligimet e palëve mbeten dhe rrethanat nuk paraqesin justifikim për shtyrjen e zbatimit të tyre.
“Zbatimi nuk është në nivelin ku duhet të jetë. Dhe zbatimi nuk është “opsional”. Të dyja palët e dinë këtë; BE-ja dhe shtetet anëtare e kanë thënë këtë shumë herë. Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i saj mbeten në fuqi. Ato janë ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët dhe përbëjnë një pjesë integrale të rrugëtimit evropian të secilës palë. Kalimi i kohës nuk ndryshon asgjë.”
Sorensen tutje mohoi edhe pretendime rreth renditjeve në zbatueshmërinë e zotimeve ku nënvizoi se ato janë të qarta për të dyja palët dhe do të duhej të ishin nisur menjëherë.
Nuk bëhet fjalë për atë se kush e bën lëvizjen e parë. Asnjëra palë nuk ka nevojë të presë tjetrën. Për Kosovën, Aneksi është i qartë, për shembull, lidhur me mënyrën e zbatimit të Nenit 7 – po citoj: “Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për marrëveshje dhe garanci specifike që sigurojnë një nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb”. Ky detyrim mbetet në fuqi. Detyrimet e Serbisë – përfshirë moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe pranimin e dokumenteve e simboleve të Kosovës – qëndron paralelisht. Të dyja janë njësoj të vonuara.”/gazetametro.net