Loading…

Z-Mobile ia fiton Telekomit 30 milionë euro në arbitrazh

  • 20/12/2016 | 17:55

Z-Mobile ia fiton Telekomit 30 milionë euro në arbitrazh

Në Gjykatën e arbitrazhit në Vjenë, Z-mobile ka fituar 30 milionë euro, pas padisë që i ishte bërë Telekomit të Kosovës. Ky rast është iniciuar nga pronarët e Z-Mobile, vëllezërit Devolli, për shkak se drejtorët e telekomit, Shyqyri Haxhaj dhe Ejup Qerimi, kishin refuzuar t’i ndajnë 100 mijë numra për këtë kompani edhe pse ART kishte lejuar këtë.


Refuzimi ishte bërë bazuar në pretendimin se kontrata për ndarjen e 200 mijë numrave për Z-Mobile tashmë ishte arritur. Megjithatë, Z-Mobile kishte kërkuar lëshimin e 100 mijë numrave shtesë dhe pasi ishte refuzuar nga telekomi dhënia këtyre numrave, Z-Mobile kishte angazhuar një kompani ligjore ndërkombëtare për ta paditur Telekomin e Kosovës.  Ky rast është ngritur për mos-dhënien e 100 mijë numrave dhe mos-sigurimin e 3G e 4G për numrat e Z-Mobile.

Kontratën me Z-Mobile e kishte nënshkruar drejtori Shyqyri Haxha. Në lidhje me këtë kontratë Haxha qe paditur, por qe shpallur i pafajshëm nga një panel gjykatësish të EULEX.

Ky është rasti i dytë i arbitrazhit ndaj Telekomit të Kosovës. I pari ia kishte marrë kësaj kompanie 10 milionë euro për shkak se ministri i atëhershëm, Ahmet Shala, kishte vendosur të anulojë një kontratë tjetër me këtë kompani, atë për ndërtimin e platformës së faturimit, në vlerë prej afro 20 milionë eurosh.

Telekomi i Kosovës është përballë goditjes nga një tjetër pretendim në arbitrazh, atë të kompanisë fantome AXOS, e cila kishte fituar privatizimin, por se vetëm disa ditë para se të kalonte afati i pagesës së rreth 300 milionë eurosh, ministri i ekonomisë, Besim Beqaj, pati kërkuar anulimin e këtij privatizimi. AXOS ka ngritur një rast që pretendon 50 milionë euro, dhe ky nuk është rasti i vetëm që kërcënon Kosovën për shkak të vendimeve të ish-ministrave Beqaj dhe Shala.

Mësohet se Devollët ka paguar rreth 1 milionë euro kompaninë austriake Schonherr për të nisur rastin prej gati 30 milionë eurosh. Rastet kundër telekomit dhe qeverisë së Kosovës të nisura në lidhje me vendimet e kësaj të fundit mbi Telekomin e Kosovës po fitohen pa asnjë problem duke qenë se paditësit janë të pakufizuar në angazhimin e kompanive ligjore, kurse institucionet publike janë të lidhura me Ligjin për prokurimin publik, gjë që kufizon fort ato edhe kur ekziston vullneti për të angazhuar kompani kompetente në këto raste.

Kompania AXOS ishte shpallur fituese e privatizimit që kushtonte 300 milionë euro edhe pse qarkullimi i përgjithshëm i kësaj kompanie kapte vetëm 500 mijë euro.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë