Ani pse ishin njoftuar të gjithë se sot në orën 17:00 do të nënshkruhej koalicioni në mes AKR-së së Agim Bahtirit dhe VV-së, kjo gjë nuk do të ndodhë, shkruan Gazeta Metro.
Kjo konfirmohet nga zyrtari për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Rejhan Fejza. Ai për Gazetën Metro ka thënë se zyrtarët e Komunës kanë keqkuptuar.
“Është e sigurt që sonte nuk nënshkruhet asgjë. Ne kemi takim vetëm për të diskutuar. Si duke zyrtarët e Komunës e kanë keqkuptuar, pasi po e shoh njoftimin e tyre”, ka thënë Fejza.
Megjithëse njoftimi ishte publikuar në faqen zyrtare të kësaj Komune, duket se Bahtiri nuk do ta ketë aq lehtë të gjejë bashkëpunëtor.
Ani pse Gazeta Metro ka provuar të kontaktojë Bahtirin, ai e ka mbajtur të mbyllur telefonin.
Para dy ditësh, koalicioni i deritanishëm në Mitrovicë në mes AKR-së dhe LDK-së, u prish nga LDK-ja pasi Bahtiri e shkarkoi një drejtor që vinte nga kjo parti. Shkarkimi, sipas Bahtirit, ishte bërë me arsyen se drejtori për Arsim, kishte favorizuar gruan e tij për t’u punësuar./gazetametro.net/