Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovë e Metohi’ të qeverisë së Serbisë, Petar Petkovic, e kreu detyrimin e lavdërimit të shefit të tij presidentit Vucic si lider i jashtëzakonshëm me të cilin krenohet shumë për maturinë që ka treguar njoftoi poashtu se ai ende po përpiqet të gjejë një zgjidhje kompromisi, transmeton Gazeta Metro.
“Të dielën presidenti do të flasë për të gjitha, dialogun, propozimet, sjelljen e Kurtit, si dhe dëshirën tonë që para së gjithash të ruajmë paqen dhe stabilitetin e jetën e qytetarëve tanë në Kosovë e Metohi” tha Petar Petkovic.
S’kishte si të jetë ndryshe pasi kjo metodë ekipit të marrëdhënieve me publikun të presidentit serb është e njohur tashmë. Ngrihet tensioni dhe pritjet aq sa të jetë e nevojshme që të të dalë shefi i madh për ta zgjidhur ashtu siç mundet vetëm ai.
Petkovic vazhdoi me këtë stil duke shtuar se presidenti serb Vucic nuk po mund të pajtohet që s’ka zgjidhje, s’pajtohet që të ketë konflikt në ‘Kosovë e Metohi’ dhe për këtë arsye të gjithë ditën e djeshme ka punuar, dhe po punon edhe të premten për të gjetur zgjidhje.
Presidenti serb Vucic kishte qëndruar në Bruksel edhe pas mbylljes së bisedimeve dhe nuk kishte lënë rast pa njoftuar se u takua me kë e pranoi për të gjetur një zgjidhje. Doli edhe në Instagram për t’u qarë se u lodh shumë dhe mezi pret të kthehet në Beograd.
Të enjten gjatë bisedimeve ishte njoftuar nga mediat serbe se iu ishte komunikuar nga Brukseli se presidenti serb Vucic ka caktuar takim me përfaqësuesit serb të Kosovës, politik dhe civil, në pallatin ‘Srbija’ në Beograd./gazetametro.net