Loading…

‘Vucic Show’ para takimit me Palmer e Lajcak: S’po na ofroni asgjë, na keni mbështetur për muri e kështu nuk shkon më

  • 02/06/2021 | 17:40

‘Vucic Show’ para takimit me Palmer e Lajcak: S’po na ofroni asgjë, na keni mbështetur për muri e kështu nuk shkon më

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, doli para reporterëve pasi kishte pritur anëtarin serb të presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, e aq sa ishte sfidues, aq luante viktimën, tallej me liderët kosovarë, e aty kërcënonte me kriza në rajon e madje kërcënoi edhe vet kryeministrin kosovar Albin Kurti. Vucic që njihet për këto lloj konferenca për shtyp që më shumë i ngjajnë monodramave nuk zhgënjeu as sot kur lëshoi porosi për Palmer, e më shumë për Lajcak se ai nuk qenka ‘dorëzua’ në Shtëpinë e Bardhë para Donald Trump e nuk e nënshkroi pranimin e Kosovës, e tani as që bëhet fjalë. Ishte mjaft i pakënaqur edhe për atë që ai e sheh apo thotë se i duket një trajtim preferencial për Kurtin e Osmanin nga diplomatët perëndimorë, transmeton Gazeta Metro.


Presidenti Vucic çfarë nuk deklaroi pas takimit me Dodik për situatën para vazhdimit të bisedimeve. E nisi duke thënë se këto nuk janë ditë të zakonshme për popullin serb dhe u shpreh shumë i pakënaqur si disa media dhe politikanë serbë po i kritikojnë përpjekjet e tij. Më pas vazhdoi me monologun.

“Si duket gjithçka lejohet të thuhet kundër Serbisë… të gjithë po heshtin e askush nuk reagon. Reagimi ynë do të jetë i fuqishëm dhe i ashpër për çështjet e mos respektimit të marrëveshjeve që janë nënshkruar në kuadër të BE’së”. Kështu reagoi për deklaratën e refuzimit të Asociacionit të Komunave Serbe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke shtuar se ai po tallet të gjithë me këtë refuzim të marrëveshjes për të cilin e kanë nënshkruar pajtimin.

Ai vazhdoi me shpjegimin e tij se kur dikë e mbështesni për mur, duke përjashtuar zgjidhjen e kompromisit, duhet të gjejmë forcën e mprehtësinë të themi “kjo nuk shkon më”.

“Që Kurti të shantazhoj se si të bisedohet me të e si ta trajtojmë, paraprakisht mund të ja them që do ta trajtoj si çdo përfaqësues të institucioneve të përkohshme. Mund të provoj të bëj diçka, por do ta këshilloja mos ta bënte” e mbylli Vucic.

Tani ju kthye pyetjeve të reporterëve të afërt me pushtetin serb për presionin për pranim të Kosovës me rastin e ardhjes të emisarit amerikan Matthew Palmer.

“Kur isha në Shtëpinë e Bardhë, atë nuk e nënshkrova (pranimin), njerëzit mos të brengosen për këto gjëra. E jona është të bisedojmë. Nëse Kurti mendon se nuk do të bisedohet për Asociacionin, nuk kaa nevojë as të vij” e këtu shtoi se të premten ai do t’i adresohet kombit serb, që i bie pas takimit me Lajcak dhe Palmer. Adresimet e tij edhe ashtu nuk dallojnë shumë nga këto konferenca për media, përpos që s’ka pyetje të porositura.

Vucic vazhdoi e ironizoi duke thënë se tani ka një pyetje për të gjithë ata që thoshin se po na vjen shpëtimi me Kurtin, Vjosa Osmanin…Ai përsëriti përshkrimin e tij të ngjarjes në samitin e procesit të Brdo-Brioni se ishte e pamundur të dëgjoje argumentet e tyre, pasi ato realisht nuk janë argumente, por vetëm rafalë akuzash me  ‘piskama e zhurmë” në llogari të Serbisë – si serbët qenkan përdhunues, si duhet që ne të paguajmë dëmet e luftës e të përgjigjemi për gjenocid.

Ai më tej vazhdoi të ankohet për se të gjitha bisedimet që po zhvillohen dhe e gjitha që po kërkohet nga Serbia në fund përmblidhet në kërkesën që Serbia të njohë Kosovën.

“Por SHBA dhe fuqitë perëndimore po kërkojnë që Serbia të pranoj Kosovën kështu apo ashtu. Më nuk po kërkojnë as që të përmblidhet në ndonjë formë, por drejtpërdrejtë duke përmendur njohjen reciprokee. Nuk mund as ta merrni me mend se sa ne vuajmë për pranimin e Kurtit, pasi pas kësaj ne me siguri do të lulëzojmë” tha Vucic me ironi.

Ai ankua më tej se situata nuk është as e lehtë as e bukur, dhe askush nuk po ju vjen me ëmbëlsira e molla, e asnjë ofertë të bukur për Serbinë. Vucic i hyri teorive të konspiracionit po ashtu si për politikanët serbë të opozitës dhe perëndimorët e duke e paraqitur veten si shpëtimtari i Serbisë.

“Ditë të vështira për vendin, por nuk qahem. Kemi kaluar shumë të tilla, jemi të gatshëm për tjera. Nëse doni të dëgjoni qëndrimin e Serbisë, mirë, e nëse jo atëherë ndryshoni pushtetin në Beograd e sillni ekspertët të cilët përsëri do të plaçkitin vendin, shkatërrojnë të gjitha fabrikat, e kush e di se çfarë mund të ndodhë përsëri, diçka siç ishin ndarja e Malit të Zi dhe shkëputja e Kosovës” tha Vucic./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë