Kryeministri i Serbisë ka thirrur në Beograd në një takim përfaqësuesit e Listës Serbe, për t’i pajtuar, pas përçarjes shkaku i shkarkimit të ministrit të Pushtetit Lokal Ljubomir Maric.
Mediat serbe raportojnë se sot në mëngjes kyreministri serb Aleksandar Vucic ka filluar një takim me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova, i cili u bëri thirrje atyre që të kalojnë mosmarrëveshjet lidhur me zbatimin e politikës shtetërore serbe në Kosovë.
Në takimin në të cilin ka marrë pjesë edhe Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të pranishëm ishin deputetët e Listës Serbe, si dhe ministrat nga kjo listë në qeverinë e Kosovës, nënkryetari Branimir Stojanovic, Ministri Dalibor Jevtic, si dhe ministri i shkarkuar Ljubomir Maric, transmeton gazetametro.net.
Përçarja e serbëve ka ardhur pas shkarkimit të ministrit Maric, i cili kishte shoqëruar Djuricin në veri të Mitrovicës, edhe pse institucionet e Kosovës nuk i kishin dhënë leje atij që të qëndrojë në Kosovë.
Pas kësaj një pjesë e deputetëve të Listës Serbe, kishin ndërprerë bojkotin e institucioneve dhe ishin kthyer në Kuvend, duke u pajtuar praktikisht me shkarkimin e ministrit Maric, nga kryeministri Isa Mustafa, dhe emërimin në atë pozitë të Mirjana Jevtic nga Lëvizja Socialiste e Aleksandar Vulin.
Kryeministri serb Vucic kishte premtuar se do t’i jap fund kësaj historie
Vucic ka thënë ditë më parë se kishte besim të plotë në ministrin Vulin dhe se konflikti i partisë së tij Lëvizja Socialiste me Listën Serbe, ka ardhur për shkak të ndërhyrjes së faktorit të huaj dhe atij shqiptar.
“Disa njerëz i kanë dhënë vetes të drejtën për të bërë diçka që është në kundërshtim me interesat e Republikës së Serbisë. Këtu ka qenë i implikuar faktori i huaj dhe natyrisht edhe shqiptarët, ka pasur gjëra të ndryshme që unë nuk dua t’i flas këtu”, kishte thënë Vucic.
Vulin në ndërkohë ka paralajmëruar antarët e partisë së tij në Kosovë, se nëse ata nuk i përgjigjen ftesës së Vucicit më nuk do të jenë pjesë e Lëvizjes Socialiste. /gazetametro.net