Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, pranoi të shkonte në Tiranë në Samitin e BE’së për Ballkanin Perëndimor, por nuk u pendua për të sharat dhe kërcënimet ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe akuzat ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Vazhdoi me pretendime të tilla madje, derisa ishte kujdesur që në sfond të ketë ushtrinë serbe të pajisur mirë siç u krenua, transmeton Gazeta Metro.
Derisa po krenohej gjatë paradës së armatimit të ri për ushtrinë serbe në qendrën inspektuese në Nikinci, presidenti serb Vucic, foli edhe për pritjet dhe theksoi pritjet e tij të ulëta nga samiti në Tiranë, por edhe hodhi ca thumbime për bashkësinë ndërkombëtare dhe planin franko-gjerman dhe një prej zgjidhjes së përfolur në media se është propozuar në të, duke i ulur edhe pritjet e publikut serb e një dozë viktimizimi.
“Është me rëndësi të jemi atje. Fuqitë e mëdha nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre dhe ata do të duan që Serbia në këtë mënyrë apo tjetër ose të lejojë Kosovën në OKB apo edhe ta pranojmë. Atëherë do të thonë se kjo do të jetë një lëshim fantastik që të mos vijmë deri tek njohja e ndërsjellë, vetëm t’i lëmë në Kombet e Bashkuara. Këto janë trika për fëmijë të vegjël – sikur kur si fëmijë luanim me gogla, e peshkove ose jo. Kështu mendojnë edhe këtë se me ne mund të luajnë sikur nuk jemi shtet serioz, i lirë dhe i pavarur. Por kështu janë rregullat e lojës. Jemi shumë të vegjël ne që të mund ta ndryshojmë gjithë botën, por jemi mjaftueshëm të fortë që të mbrojmë vendin tonë.”
Ai njoftoi se në Tiranë do të ketë takim bilateral me kryeministrat e Belgjikës dhe Holandës dhe shtoi se shpreson që të bisedojë edhe me Macron, me të cilin ka këmbyer porosi për këtë temë siç tha, dhe shtoi se do ta ketë vështirë në Tiranë se të gjithë qenkan kundër Serbisë sipas tij.
“E dimë sesi do të eskalojë kjo. Tema kryesore do të bëhen sanksionet, nëse jo sanksionet do të ishte Kosova. Pastaj kur të shtoni, Vjosa Osmanin, Miljo Djukanovic e të tjerët nga rajoni, mund ta merrni me mend se çfarë situate e pakëndshme do të jetë për Serbinë. Jeta është një luftë e që të ankohemi e të vajtojmë s’kemi arsyetim.”
Derisa po theksonte se sa në rregull e paska ushtrinë, presidenti serb Vucic përmendi ekonominë dhe këmbimin tregtar që siç dhe pretendoi se kjo po ndodhka pa vullnetin e kryeministrit Albin Kurti duke pretenduar se pret që këtu të ndërhyjë ai pasi sipas tij nuk mund të shkojë një javë pa një provokim nga Kosova, me komandën e dikujt siç ka pretenduar edhe më parë.
“Ne këtë e quajmë pjesë të tregtisë së brendshme, për ta është import-eksport. Siç e shihni kjo është gjĽ krejt normale që njerëzit në Prishtinë, Pejë, Prizren si nevojën më të madhe e kanë prodhimet nga Serbia qendrore. Ne kemi nevojë poashtu për prodhimet e tyre, ne duam të blejmë lëndën e parë nga territori i Kosovës e Metohisë, s’kemi problem me këtë. Mendoj se kështu është më së mirë pasi kjo i afron njerëzit, i heq barrierat mes tyre. Nuk e kuptoj se përse kjo i pengon Kurtit, brengosem se për këtë ai kurrë s’do të jetë i interesuar Kjo po ndodh pa vullnetin e tij, me vullnetin e ndërmarrësve të njërës e tjetrës palë, vullnetin e njerëzve të rëndomtë që i lidh interesi. S’do të thotë që ka dashuri aty por interes. Brengosem se çfarë do të ndodhë javën e ardhshme, pasi nuk kanë lëshuar rastin që çdo 10 ditë të bëjnë një provokim tjetër të qëllimtë, apo të shkaktojnë kaos. Sikur me ndonjë komandë dikush po iu thotë ‘hajde nisni përsëri’ e tani niset nga e para, e luftoni” tha ai./gazetametro.net