Loading…

Vozitës, gjobiteni me 50 euro nëse ju mungon ky formular

  • Nga

  • 07/02/2017 | 14:06

Vozitës, gjobiteni me 50 euro nëse ju mungon ky formular

Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili ka hyrë në fuqi nga data 20.09.2016, ka paraparë gjoba mjaft të larta për shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion. Qëllimi i këtij ligjit ka qenë rritja e sigurisë në trafikun rrugor, zhvillimi i rrjedhjes normale të trafikut dhe mbrojtja e ambientit.


Një ndër elementet më të rëndësishme të këtij ligji është edhe posedimi i formularit evropian të aksidenteve, i cili është publikuar tashmë. Ky formular i përgjigjet modelit të raportit të lëshuar nga Komiteti Evropian i Sigurimeve (CEA).

Raporti Evropian përmban një formë që duhet plotësuar me të dhënat personale të shoferëve dhe mjeteve të përfshira në aksident, shkruan gazetametro.net.

Ky formular është një qasje e re për trajtimin e aksidenteve me dëme të vogla materiale. Mirëpo shumica e qytetarëve nuk kanë pasur njohuri më herët për këtë formë të re të raportimit, ndërsa nga java tjetër ai ngasës i veturës që nuk e posedon këtë formular gjobitet.

Këtë e tregon edhe Zyfer Jashanica, nga Lipjani i cili ka vite që vozitë veturë por nuk e ka një formularë të tillë. Ai, madje nuk di për ekzistencën e këtij formulari.

“Nuk e kam, nuk kam pasur njohuri lidhur me këtë, e as kompania e sigurimeve nuk më kanë informuar, tash e mora vesh se gjobitem nëse se kam”, tha Jashanica.

Me mungesë informimi për gjobitjen është edhe Naser Binaku nga Prishtina. Ndonëse posedon formularin ai nuk ka marrë informacione për rëndësinë e këtij formulari por edhe gjobitjen që mund ta marrë nëse një të tillë nuk e posedon.

“Unë këtë formular e kam marr në kompaninë e sigurimeve, por nuk kam dëgjuar asnjëherë në media, se mund te gjobitem nëse nuk e posedoj, vetëm me kolegët ndërmjet vete shpeshherë kemi diskutuar”, tha ai.

Edhe Nuha Rama ka katër vite që posedon një formular të tillë, por i njëjti nuk ka dëgjuar për pasojat që mund t’i ketë nëse ndonjëherë i mungon ai formular.

“Këtë formular ma kanë dhënë kompania e sigurimeve. E kam tash e 4 vite. S’kam dëgjuar asnjëherë se gjobitem nëse nuk e posedoj”, shpjegon Rama për gazetametro.net.

raporti-i-aksidentit-2

Policia e Kosovës në anën tjetër thotë për gazetametro.net, se çështja e implementimit të raportit evropian të aksidentit është e rregulluar sipas nenit 203 paragrafi 1. ‘’Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor (LRRTRR) nr. 05/L-088 i cili ka filluar së implementuari nga data 20.09.2016, çështjen e implementimit të raportit evropian të aksidentit e ka rregulluar sipas nenit 203 paragrafi 1, nën-paragrafi 1.6, 203.4 dhe 203.5 ku i obligon të gjithë shoferët që të posedojnë këtë raport dhe në të njëjtën kohë ka parapare edhe gjobën për mos posedim në shumë prej 50 €”.

Me këtë ligj parashihet që kompanitë e sigurimit janë të obliguara t’i pajisin të gjithë shoferët e veturave të siguruara me raportin në fjalë. Ndërsa mos pajisja e kompanive parasheh gjobat prej 500 deri 1500.

Ndërsa, implementimi i pjesës së ligjit ku e rregullon këtë çështje, ka filluar që nga fillimi i implementimit të ligjit në fjalë, dhe në vazhdimësi janë marr masa shtesë në implementim të tij.

Sa i përket fushatës sensibilizuese, Policia e Kosovës thotë të ketë njoftuar qytetarët me të rejat e Ligjit dhe gjobat që mund t’i marrin  ata.

“Sa i përket fushatës, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji i kemi njoftuar të gjithë qytetarët me risit që dalin nga ligji në fjalë, pjesë e së cilës është edhe përdorimi dhe implementimi obligativ i raportit evropian të aksidentit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës./Gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë