Deputetëve të VV’së, nuk po i pëlqen vendimi i LDK’së që definitivisht, Vjosa Osmani të jetë kandidate e vetme për kryeministre në rast koalicionit LDK-VV, shkruan Gazeta Metro.
Gratë deputete të VV’së reaguan gati një zëri, ku u shprehen se vendimi i LDK’së që Vjosa Osmani të jetë kandidate e vetme për kryeministre, është i pa arsyeshëm dhe nuk ka argument.
Ishte Arbërie Nagavci ajo që tha se argumenti i LDK’së se duan ta shmangin garën e brendshme, nuk qëndron aspak.
“Një listë e përbashkët, e cila ua jep mundësinë votuesve të të dyja subjekteve për ta votuar të preferuarin e tyre për kryeministër/re do të ishte përparësi për të dy subjektet pasi votat do të shkonin për koalicionin tonë. Për më shumë mobilizimi i votuesve të të dyja subjekteve dhe atyre që janë të pavendosur, do ta rriste frontin kundër PAN-it. Kjo do të ishte konkurencë pozitive”, ka shkruar Nagavci.
Ajo e vuri në dyshim logjikën e deklaratës së Vjosa Osmanit, që kishte thënë se mund të tejkalojmë gjithçka, përveç që ajo të jetë kandidatja për kryeministre.
Reagim tjetër ka pasur edhe nga ish-deputetja Fatmire Kollçaku, ku ka thënë se nuk ka argument që e arsyeton vendimin e LDK’së.
“Nuk ka argument që e arsyeton vendimin e LDK-së. Na priftë e mbara”, shkruan në postimin e saj Kollçaku.
Ndryshe sot Albin Kurti i bëri një ofertë të re LDK’së për koalicion parazgjedhor, e që një ofertë e tillë u refuzua nga LDK./gazetametro.net