19:33- E plotësuar
Avni Arifi, këshilltar dhe shef i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj ka reaguar pasi Ministri i Financave, Bedri Hamza ka vendosur të mos e zbatojë vendimin e qeverisë për rritjen e pagave.
Arifi ka thënë që Hamza asnjëherë nuk ka dalë kundër vendimeve të Qeverisë, e nuk do të dalë as kësaj radhe, shkruan Gazeta Metro.
“Asnjëherë z. Bedri Hamza Ministër i Financave nuk i ka dalë kundër vendimeve të Qeverisë apo të Kryeministrit. Çdo vendim është marrë në koordinim të plotë dhe kështu do të vazhdohet”, ka shkruar Arifi.
Ndërsa për vendimin e Hamzës pak më parë ka reaguar edhe shefi i Zyrës për Informim në Qeverinë e Kosovës, Halil Matoshi, reagimin e së cilit mund ta gjeni më poshtë. /gazetametro.net
19:03 – A do të prishet koalicioni për rroga? Matoshi i kërkon ministrit të PDK’së të zbatojë vendimin e Haradinajt
Qeveria e Kosovës pret që vendimi për rritje të pagave të gjejë zbatim në Ministrinë e Financave, pavarësisht qëndrimit kundër të shefit të këtij dikasteri, Bedri Hamza.
Kështu ka bërë të ditur për Gazeta Blic shefi i Zyrës për Informim në Qeverinë e Kosovës, Halil Matoshi.
“Vendimi i qeverisë është kolektiv dhe ai duhet të gjejë zbatim. Nuk dua të prejudikoj për vendimin e qeverisë në rastin e ministrit Hamza, por ai vendim duhet të zbatohet”, ka thënë Matoshi.
Lidhur me këtë çështje zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahni nuk ka qenë në gjendje të pohoj por as mohoj, se ministri Bedri Hamza ka vendosur të mos e zbatoj vendimin e qeverisë për rritje të pagave.
Veprim i Ministrit të Financave vjen një ditë pas daljes konstatimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit se vendimi i marrë nga ekzekutivi është i kundërligjshëm.
Agjencia Kundër Korrupsionit dje e ka dhënë opinionin e saj, në lidhje me vendimin për rritje pagash.
Sipas AKK-së, ky vendim i Qeverisë së Kosovës ishte në kundërshtim me ligjin.
Megjithatë, nga zyra e Kryeministrit kanë theksuar se nuk do ta marrin parasysh mendimin e AKK-së dhe se pagat do t’i procedojne me rritje.
Ndërkohë, kjo çështje ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, në emër të 31 deputetëve opozitarë të Kuvendit të Kosovës.
http://gazetametro.org/ministri-hamza-refuzon-rritjen-e-pages-se-kryeministrit/