Një veturë është përfshirë nga zjarri pasditen e së dielës, Policia e Kosovës ka dhënë detajet e rastit
Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një vetë-aksidenti, ku vozitësi sipas policisë, ka humbur kontrollin gjatë drejtimit të veturës.
Daut Hoxha, zëdhënës i PK-së i ka thënë Ksp-së, se vozitësi ka pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit i është ofruar ndihma e parë nga Njësia e Emergjencës.
“Më 25.12.2016 rreth orës 16:40 në Prishtinë në rrugën magjistrale Ferizaj – Prishtinë, saktësisht afër hotelit ‘Viktoria’, ka ndodhur një aksident trafiku ku vozitësi M/SH/K, duke e drejtuar veturën e tij ‘Pick UP’ ngjyrë e kuqe ka humbur kontrollin gjatë drejtimit dhe është ndeshur në pjesën fizike ndarëse të shiritave të komunikacionit, me ç’rast nga goditja në veturë ka shpërthyer edhe zjarr”, ka bërë të ditur Hoxha.
Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes për të shuar zjarrin, derisa Njësitet Policore të Trafikut po merren me procedurat e nevojshme ligjore.