Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme ku ka folur rreth vdekjes së aktivistit Astrit Dehari dhe ku kërkuan përfshirjen e ekspertëve nga jashtë në autopsinë e trupit të Astrit Deharit.
Kryetari i këtij subjekti politik, Visar Ymeri kërkoi lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të tjerë që gjenden në paraburgim, duke thënë se nuk mund të kenë më besim në trajtimin që iu bëhet atyre nga institucionet.
“68 ditë pas mbajtjes në paraburgim dje morëm lajmin e tmerrshëm të vdekjes së shokut dhe aktivistit të VV-së. Ky është një rast i kulluar i rastit politik. Dehari ishte akuzuar për terrorizëm, por terror po bën shteti që as nuk sjell fakte por ndërkohë mban aktivistët e VV-së në burg”, ka thënë Ymeri.
Tutje ai tha se nuk kishte përkeqësim të gjendjes së aktivistit, por sipas tij, ai ishte i terrorizuar për shkak se ishte kundër të këqijave që po i bëhen shtetit të tij.
Ndërkaq, sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj tha se lëvizja ku ai bën pjesë po kërkon që në autopsinë e aktivistit Astrit Dehari të marrin pjesë edhe ekspertë nga jashtë sepse autopsia duhet të jetë e sigurtë për shkak të dilemave që duhet të sqarohen.
“Mundësitë janë që të ketë ekspertë nga Shqipëria, duke mos përjashtuar as ata nga Zvicra”, tha Molliqaj.
Ai shtoi se kërkesat e familjes lidhur me autopsinë tashmë edhe pse jozyrtarisht, kanë marrë përgjigje positive nga prokurori i rastit si dhe avokati i popullit. /gazetametro.net