Lëvizja Vetëvendosje, dega në Ferizaj, vlerëson se banorët e fshatit Varosh përsëri rrezikohen nga treni për shkak të papërgjegjësisë së pushtetit komunal.
Ata thonë se çështja e hekurudhës në Ferizaj gjithmonë ka qenë temë debati pikërisht për shkak të rrezikshmërisë që ajo paraqet për qytetarët.
Aksidentet e shpeshta hekurudhore jo rrallë kanë rezultuar me jetë të humbura.
Një nga kryqëzimet më të rrezikshme të rrugës me hekurudhën në Ferizaj është vendkalimi në hyrje të fshatit Varosh (Lagjja Berishë).Aksidentet e shpeshta prej të cilave disa me fatalitet, këtij vendkalimi i dhanë edhe disa epitete si “hekurudha famëkeqe”, “pika e zezë” etj.
Si pasojë e presionit mediatik dhe qytetar, kohë më parë në këtë vendkalim u vendosën barierat të cilat ishin të mirëpritura nga qytetarët e që u shfrytëzuan mirë politikisht nga pushtetarët. Arsyetimi i pushtetit për vendosjen e barierave vetëm në këtë vendkalim e jo edhe në të tjerat ishte se “vendosja e barierave në këtë vendkalim është i domosdoshëm, për shkak të frekuentimit të shumtë dhe rrezikshmërisë së lartë”.
Pavarësisht të gjithave, ka disa ditë që në këtë pikëkalim janë larguar barierat si dhe kontenjeri i cili shërbente si vendqëndrim për punëtorët të cilët kujdeseshin për to.
“Sipas burimeve tona, shkaku i largimit te këtyre barierave është mospagesa e punëtorëve për disa muaj rresht e që duhej të bëhej nga komuna e Ferizajt. Flitet për një shkelje marrëveshjeje tipike sfarqiane, nga ana e të parit të komunës z. Muharrem Sfarqa”, thotë Vetëvendosje.
“Këto burime janë lehtësisht të besueshme pasi që ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm që kryetari i Ferizajt shkelë marrëveshjen me kompani të ndryshme dhe si rezultat i kësaj, qytetarët ferizajas mbesin pa shërbime”, thuhet në njoftimin e kësaj dege, përcjell gazetametro.net
Mashtrimet dhe gënjeshtrat e kryetarit Sfarqa, kanë prekur edhe shumë individë të tjerë si ne këtë rast, te cilët pas premtimeve për një vend pune kanë punuar me muaj të tërë dhe në fund nuk kanë marrë as pagë e as nuk e kanë fituar vendin e punës.
Edhe në këtë rast si në shumë raste të tjera, si rezultat i mungesës së kujdesit institucional banorët e fshatit Varosh, me vetiniciativë kanë vendosur një lajmërim afër vendkalimit që paralajmëron heqjen e barierave.
Te premtosh 2 km kafaz hekurudhë nëntokësore e të mos sigurosh as barierë mekanike është më shumë se mashtrim e gënjeshtër. Ky është direkt rrezikim i jetës së banorëve të fshatit Varosh e më gjerë. Kjo po i ndodh ferizajasëve të cilët më të vërtetë nuk e meritojnë këtë.
“Nëpërmjet këtij shkrimi ne kërkojmë që sa më parë të rivendosen barierat në këtë vendkalim dhe në vendkalimet e tjera të cilat janë pa bariera e që janë plot 13 sosh dhe secila nga këto paraqet rrezik për jetën e qytetarëve”, thuhet tutje aty. /gazetametro.net