Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, ka bërë me dije se vetëm për këtë periudhë kohore të vitit 2017 janë ndarë rreth 400 mijë euro.
Këtë e ka bërë përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, duke treguar në të njëjtën kohë se bashkë me ministrin e Financave Avdullah Hoti, ka vizituar organizatën “Hareja” në Rahovec e cila përkujdeset, ofron shërbime dhe organizon aktivitete tjera, për gratë, fëmijët me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës etj.
“Organizatat sikur kjo, dhe këto që kanë përfituar grante ketë vit nga MPMS, paraqesin një tërësi organizatash të cilët nga paslufta ballafaqohen me sfida financiare, përkundër një pune masive dhe vullneti të pashoq për të përkrahur grupet e margjinalizuara, grupet në nevojë, grupet e stigmatizuara dhe shumë kategori tjera”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
Po ashtu Abrashi bënë me dije se janë duke punuar në krijimin e një granti specifik në kuadër të buxhetit komunal, në mënyrë që këto organizata të kenë qëndrueshmëri financiare dhe të funksionojnë rregullisht, e jo të varen nga projekt propozimet. /gazetametro.net