Gazeta Metro ka raportuar sot, se Serbia ka lëshuar rreth 170 fletarreste përmes Interpolit për ish pjestarët e UÇK’së. Në bazë të një fletëarresti të tillë është arrestuar së fundmi edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ndërsa ka publikuar emrat e 157 ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët mund të përballen me fletë arrestet e Beogradit nëpër vendet ku udhëtojnë.
Pas publikimit të lajmit, ka reaguar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, i cili ka thënë se janë 20 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kërkohen nga INTERPOL-i.
“Nga kjo listë e publikuar, vetëm 20 ish pjesëtar të UÇK-së kërkohen nga INTERPOL. Policia e Kosovës (Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit ILECU) ka verifikuar të gjithë 157 emrat të cilët janë pjesë e kësaj liste dhe e cila po prezantohet nëpër media si listë e INTERPOL-it. E vërteta është se vetëm 20 nga këta 157 emra janë në listën e INTERPOL-it”, ka shkruar Mustafa.
Sipas numrit dy të dikasterit të rendit në Kosovës, Policia e Kosovës, më 16.12.2016 përmes zyrës së INTERPOL-UNMIK ka dërguar ankesë për futjen e këtyre 20 personave në listën e kërkimit nga INTERPOL dhe ka kërkuar largimin e tyre.
“Përndryshe, dhjetëra emra janë larguar nga kjo listë si rezultat i reagimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net. “Përndryshe, lista prej 157 ish pjesëtarëve të UÇK e cila po prezantohet nëpër media si listë e INTERPOL-it, në të vërtetë është listë e publikuar në ‘Libri i Bardhë’ i nxjerr nga Qeveria e Serbisë në vitin 2003”, ka shtuar më tej ai./gazetametro.net