Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka takuar të martën ambasadorët e vendeve të Quinitit, të cilëve ua ka ritheksuar se Kosova do të jetë në koordinim me partnerët e saj perëndimor.
Ambasadorët e vendeve të Quintit javëve të fundit kanë qenë shumë aktiv, për të penguar nismën e disa deputetëve kosovarë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Kryetari Veseli, pas festave të vitit të ri, për dallim nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Haradinaj kishte dalë me një deklaratë ku kundërshtonte shfuqizimin e Speciales, shkruan gazetametro.net.
“Kryetari Veseli takoi ambasadorët e vendeve të Quintit dhe shefen e zyrës së BE-së në Kosovë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot, në takime të ndara, Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, si dhe Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë”.
“Kryeparlamentari Veseli ka diskutuar me Ambasadorët e Quintit për agjendën e Kuvendit të Kosovës për këtë vit, si dhe për proceset me interes nacional, në veçanti për integrimet euroatlantike të vendit. Veseli i ka falënderuar Ambasadorët për mbështetjen që shtetet e tyre i kanë dhënë dhe po i japin Republikës së Kosovës. Kryeparlamentari Veseli edhe një herë ka shprehur qëndrimin e tij se për procese të rëndësishme për vendin, shteti i Kosovës do të ketë koordinim të plotë me partnerët perëndimorë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës, dërguar mediave pas këtij takimi, e ku rikonfirmohet qëndrimi i kryetarit Veseli, lidhur me temat me të cilat janë preukopuar javëve të fundit ambasadorët e vendeve mike, ku disa prej të cilëve edhe kishin shtyrë pushimet e festave të fundvitit. /gazetametro.net