Kadri Veseli thotë që përcaktimi i kufirit me Malin e Zi është çështje e përfunduar dhe që vonesat e mëtutjeshme nuk janë fare të nevojshme.
Në një intervistë në Klan Kosova, Kryetari i Kuvendit ka thënë që nuk ka arsye që të mos ratifikohet nesër demarkacioni, pasi që është ditë që korrespondon edhe me vizitën e delegacionit të përbërë nga krerët e BE’së, pra rast i mirë që Kosova të dërgojë mesazh të qartë pro BE’së.
Sa i përket votave të Listës Serbe – që deri më tash kanë refuzuar të votojnë demarkacionin – Veseli ka thënë që Kosova s’ka pse të presë nga ajo që thotë Vucic, pasi që ‘jemi shtet i pavarur’.
“Duhet ta votojmë të gjithë demarkacionin dhe të dërgojmë një mesazh të qartë që vërteton rrugëtimin tonë drejt BE’së”, tha Veseli.
“Ata që e duan Kosovën në Bashkimin Europian nesër duhet ta votojnë demarkacionin. Nuk kemi përse ta shtyjmë më tepër për këtë çështje, përse të mos votohet nesër e të shtyhet pa nevojë”, tha ai.
“Ka indikacione të fuqishme që ka individë brenda Vetëvendosjes që janë të gatshëm ta votojnë demarkacionin, sidomos pas marrëveshjes mes presidentëve. Kur them individë mendoj më shumë se një, dy ose tre”, shton Veseli.
Marrëveshja për demarkacionin pritet të votohet nesër në Kuvend prej orës 10:00. /gazetametro.net