Loading…

Veseli: Pensionistët duhet të kenë mbështetje më dinjitoze (Video)

  • 04/05/2017 | 11:39

Veseli: Pensionistët duhet të kenë mbështetje më dinjitoze (Video)

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Akademinë solemne me rastin e 70-vjetorit të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, tha se Republika e Kosovës e ka për obligim që pensionistëve të saj, të cilët dje punuan për pavarësinë e saj, sot t’u garantoj pleqëri të pavarur.


Para qindra pensionistëve, pjesëmarrës në këtë Akademi, kryeparlamentari Veseli theksoi se Kosova përfundimisht duhet ta ketë të konsoliduar sektorin e veçantë institucional të përkujdesjes së gjithanshme për të moshuarit e saj: të ardhura dinjitoze, strehim të garantuar, përkujdesje shëndetësore, duke përfshirë lehtësirat e plota në barna dhe rehabilitim.

“Jeta dinjitoze e pensionistëve dhe gjithë kategorisë së të moshuarve është pjesë e pandashme e perspektivës zhvillimore të Kosovës. Ju punuat për të ardhmen tonë, prandaj ardhmja nuk ka kuptim pa respektin njerëzor dhe institucional për ju”, theksoi kryeparlamentari Veseli, përcjell gazetametro.net

Ai shtoi se hapat e deritanishëm që janë bërë në këtë drejtim janë të pamjaftueshëm, ndërsa arsyetimet e mungesave buxhetore nuk mund të justifikojnë ata që duan të marrin përgjegjësi, por janë të paaftë të gjejnë zgjidhje për problemet e qytetarëve.

Veseli tha se pensionistët e Kosovës nuk janë kategori e lëmoshës sociale, por pjesa krenare e identitetit tonë shtetëror.

Duke i shprehur mirënjohjen për punën e tyre të palodhshme në të mirë të vendit dhe lirisë së tij, kryeparlamentari Veseli tha se në çdo përgjegjësi institucionale që do të jetë, dera e tij do të jetë gjithmonë e hapur për pensionistët, jo vetëm për problemet, por edhe për idetë dhe këshillat e tyre.

“Ju përfaqësoni atë gjeneratë të ndritshme, që me punën tuaj, me djersën, mundin, sakrificat e panumërta, e ndërtuat Kosovën. Me punën tuaj ju e shkruat historinë e Kosovës. Me përkushtimin tuaj atdhetar ju edukuat brezin e ri, i cili mori përsipër ta bëjë realitet ëndrrën historike të popullit tonë për liri e pavarësi”, theksoi kryeparlamentari Veseli. /gazetametro.net


Veseli: Pensionistët duhet të kenë mbështetje… by gazetametro

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë