Loading…

Veseli nga Kamenica, lajme të mira për bujqit dhe pensionistët

  • 02/06/2017 | 14:59

Veseli nga Kamenica, lajme të mira për bujqit dhe pensionistët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh bartës i listës së koalicionit PDK-AAK-Nisma, ka shpalosur sot para qytetarëve të Kamenicës platformën qeveritare të Fillimit të Ri, për garën zgjedhore të 11 qershorit.


Veseli u ka konfirmuar simpatizantëve të PDK-së përkushtimin e qeverisjes së pas 11 qershorit për të ndërmarrë hapa konkretë në shumë fusha, duke forcuar ekonominë dhe rritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve të vendit.

Kreu i PDK-së u zotua për mbështetje ndaj bizneseve, fermerëve, grave dhe të rinjve, si promotorë të zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit.

“Kosova ka nevojë për ndërmarrës dhe fermerë më të fuqishëm, ajo ka nevojë për përkrahje ndaj grave dhe të rinjve. Kjo është platforma e koalicionit të madh, koalicionit të lirisë dhe perëndimit”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se stimulimi ndaj bizneseve aktuale në Kosovë, do të rezultojë me rritje të ndjeshme të numrit të të punësuarve, ndërsa konfirmoi hapje të vendeve të reja të punës edhe në sektorë të tjerë, falë hapave që parasheh platforma e Fillimit të Ri.

Kryetari i PDK-së paralajmëroi dyfishim të buxhetit për bujqësinë, sektor ky i cili, sipas tij, do të jetë fokus i qeverisjes së pas 11 qershorit, duke u shndërruar në motor të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Gjatë fjalës së tij, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës përcolli mesazhe për gratë, duke kërkuar angazhim më të madh të tyre dhe duke premtuar njëkohësisht, mbështetje të fuqishme, siç tha ai, për gjysmën e popullatës së Kosovës.

Në fokus të Fillimit të Ri, sipas Veselit, do të jenë të rinjtë, të cilët, siç tha ai, do të përgatiten për tregun e punës, konform nevojave të kohës.

Edhe në këtë tubim, Kadri Veseli rikonfirmoi rritjen e pagave në sektorin e shëndetësisë dhe punëtorët e tjerë të sektorit publik, si dhe të pensioneve, në shumën prej 30 për qind.

Veseli u bëri thirrje kamenicasve që t’i japin mbështetje me votë Ekipit të lirisë, duke i thënë jo konceptit të padenjë për të qeverisur dhe për të marrë vendime, e njëkohësisht, duke i thënë jo edhe konceptit tjetër i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe e përdorë atë vetëm për interesa të veta.

“Ju ftoj që më 11 qershor të dilni e të votoni në mënyrë dinjitoze, për Kosovën perëndimore, për kandidatët e koalicionit. Urime fitorja më 11 qershor. Dalshim faqebardhë”, ka përfunduar fjalën e tij kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë