Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar bashkëpunimin e gjitha institucioneve përgjegjëse që të nisin punë konkrete të cilat do të ndikojnë nëpërmirësimin e ajrit në Prishtinë dhe komunat tjera, ndërsa ka paraqitur edhe ide konkrete që ndikojnë në ngrohjen më efiçiente të shtëpive dhe ndërtesave banesore në Kosovë.
Gjatë fjalimit të tij në seancën e jashtëzakonshme të iniciuar nga vet ai për të diskutuar për gjendjen alarmante të cilësisë së ajrit, Kryeparlamentari Veseli tha se
“Rangimi në krye të listave të qyteteve më të ndotura është një gjë që duhet të na alarmojëtë gjithëve. Ne i kuptojmë përgjegjësitë e ndara institucionale, por kjo nuk na krijon komoditetin që ta hedhim fajin dhe përgjegjësinë andej e këndej për situatën. Është momenti për fokusim të përbashkët ndër-sektorial në marrjen e vendimeve të shpejta dhe efikase për tejkalimin e kësaj situate të rëndë për shëndetin e qytetarëve tanë. Interesimi dhe involvimi i Kuvendit duhet të shihet si rol direkt ndikues, i domosdoshëm, në përballjen urgjente me gjendjen alarmante të ambientit në Kosovë. Në rend të parë, nuk duhet të mjaftohemi me masa kozmetike, të cilat vetëm e zhvendosin vëmendjen dhe nuk e zgjidhin problemin. Propozoj që nga kjo seancë të dalim me rekomandime, ose rezolutë, për hapa konkretë, për të siguruar një zgjidhje afatgjate”, ka thënë Kryeparlamentari Veseli.
Ai tha më tej se është e domosdoshme që të përmirësohen politikat e deritashme mjedisore lidhur me cilësinë e ajrit.
“Të krijohet buxheti veçantë për përkrahjen e investimeve të qytetarëve dhe bizneseve, me të cilat ulen shpenzimet e jetesës dhe rritet cilësia e shëndetit, duke investuar në izolimin e shtëpive dhe ndërtesave të pa-izoluara në Kosovë. Për këtë, kemi edhe projektin amerikan të MCC-së, i cili ka ndarë 22 milionë dollarë, ndërsa konsideroj që edhe Qeveria e Kosovës duhet t’i ndajë 30 milionë euro për këtë qellim”, ka thënë Veseli.
Ai po ashtu ka propozuar mbështetjen buxhetore për zhvillimin më të shpejtë të zgjerimit të projektit të ngrohjes përmes koogjenerimit.
Veseli po ashtu propozoi mbjelljen e drunjve në gjitha komunat e Kosovës, e në veçanti në zonat urbane.
“Të ndërmerren hapa konkretë për lidhjen në gazsjellës përmes Shqipërisë, i cili krijon mundësinë e përdorimit të gazit – që do të kishte përfitime mjedisore dhe ekonomike”, ka shtuar Veseli.
Ai ftoi deputetët për debat sa më përmbajtjesor në dobi të vendit dhe qytetarëve dhe në fund seanca të vendosë për rekomandimet konkrete. /gazetametro.net