Loading…

Vërshimet në vend, fermerët raportojnë dëme të mëdha në kulturat bujqësore

  • 21/07/2026 | 20:30

Vërshimet në vend, fermerët raportojnë dëme të mëdha në kulturat bujqësore

Vërshimet të cilat kanë kapluar vendin dy ditët e fundit kanë shkaktuar dëmtime të mëdha, e sidomos te fermerët, ku puna iu është vështirësuar, shkruan Gazeta Metro.


Suhareka, Peja, Klina, janë disa nga zonat më të prekura, ku për pasojë shumë fermerëve iu janë dëmtuar perimet.

Të martën në terren doli edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i cili tha se stuhia e fortë që ka përfshirë zonën ka shkaktuar dëme në qytet dhe në disa fshatra përreth.

“Nga stuhia e fortë ka disa dëmtime në qytetin e Suharekës dhe fshatra me rrethinë. Apelojmë për kujdes”, shkroi ai.

Ndërkohë, edhe zëdhënësi i komunës së Pejës ka deklaruar se vërshimet e fundit nuk kanë shkaktuar pasoja te qytetarët, ndërsa dëmet materiale në qytet janë minimale.

“Kam qenë vetë në terren sot pas vërshimeve. Kam parë disa zona që kanë qenë pak më të prekura, mirëpo pas vërshimeve të fundit kemi bërë një punë shumë të madhe në hapjen dhe pastrimin e kanaleve që përcjellin ujërat atmosferikë. Janë hapur mbi 10 kilometra kanale të reja, me thellësi mbi 3 metra, të cilat po e lehtësojnë dukshëm menaxhimin e ujërave. Dëme ka vetëm në sektorin e bujqësisë. Në ditët në vijim do të formojmë një komision që do të bëjë vlerësimin e dëmeve, në mënyrë që të dalim me informata të sakta për vlerën e dëmit të shkaktuar në këtë rajon,” deklaroi Deçani në Kanal 10.

Se breshëri ka shkaktuar dëmtime e tha edhe bujku Xhevdet Gjocaj nga fshati Kovrag i Istogut, i cili deklaroi se breshëri ka shkaktuar dëme të plota në kulturat bujqësore, duke lënë familjen e tij dhe shumë fermerë të tjerë pa të ardhura për këtë sezon.

“Është dëmtuar 100 për qind çdo gjë. Sivjet veç i kemi çuar duart për gjithçka. Jemi komplet të dëmtuar”, u shpreh ai, për emisionin “Gazeta” në Kanal 10.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, gjatë të martës bëri të ditur se do të vlerësojnë dëmet nga Komisionet Komunale për Vlerësimin e Dëmeve, në përputhje me procedurat ligjore.

Megjithatë, këtë si hipokrizi e cilësoi deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i cili tha se të njëjtit ende nuk i kanë kompensuar qytetarët për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e viteve të kaluara, ndërsa sot pushtetarët e njëjtë po premtojnë se do t’i kompensojnë dëmet e reja.

“Akoma nuk është kompensuar asnjë familje, asnjë fermer dhe asnjë qytetar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e viteve të kaluara. Sot, e njëjta qeveri del sërish me premtime se do të evidentojë dëmet e reja dhe do t’i kompensojë të dëmtuarit. Çfarë hipokrizie! Çfarë paaftësie dhe keqmenaxhimi! Premtimet tuaja boshe nuk kanë më asnjë peshë, sepse qytetarët gjykojnë nga veprat, jo nga propaganda”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, Ramush Haradinaj i Aleancës ftoi qeverinë në detyrë që në bashkëpunim me komunat të dalë në terren dhe t’u dalë në ndihmë qytetarëve për dëmet.

“Situata e krijuar pas stuhisë dhe të reshurave të rrëmbyeshme në Kosovë kërkon reagim të shpejtë institucional”, tha ai.

Ndërsa, nga vërshimet e shtatorit të vitit 2022 ende ka familje që nuk kanë marrë kompensim të dëmeve që u janë shkaktuar.

Për kompensimet e dëmeve nga vërshimet e vitit 2022, Qeveria e Kosovës kishte miratuar ndarjen e një fondi prej 9 milionë eurosh për rimëkëmbjen nga vërshimet. Sipas vendimeve, synohej mbulimi deri në 90% të vlerës së dëmeve të vlerësuara për ekonomitë familjare, bizneset dhe fermerët. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre kompensimeve, duke përfshirë shuma të tjera të vlerësuara prej 7.2 milionë eurosh, kanë mbetur të papaguara nga niveli qendror, duke lënë shumë kompensime të mbuluara pjesërisht./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë