Në moshën 66-vjeçare ka vdekur Ramadan Musliu, poeti, gazetari dhe studiuesi i letërsisë, shkruan Gazeta Metro. Pas vetes la krijimtarinë e shumtë letrare dhe publicistike.
Ka studiuar Letërsi dhe gjuhën shqipe në Fakultetin Filologjik të Universiteti i Prishtinës, ku mbaroi edhe studimet pasuniveristare. Krijimtarinë letrare dhe publicistike (gazetareske) e filloi herët. Gjatë viteve 1977-1980 ka punuar arsimtar i lëndës gjuhë dhe letërsi shqipe në Qendrën Shkollore “Kuvendi i Lezhës”. Po ashtu ai ka punuar edhe si gazetar i kulturës në gazetën e përditshme Rilindja dhe ishte anëtar i redaksisë së Revistës së përdyjavshme për kulturë “Fjala” të Prishtinës, nga viti 1981-1993. Poashtu, ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2004 deri në vitin 2007.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e Musliut:
“Jam thellësisht i tronditur nga kumti i zi i shkuarjes në amshim të poetit, kritikut letrar e publicistit tonë Ramadan Musliu. Përveç veprimtarisë krijuese e studimore, Ramadan Musliu dha ndihmesë të dallueshme edhe në fushën e informimit dhe të politikës, një herë si deputet i Kuvendit të Kosovës, e pastaj si këshilltar i ministrit të Kulturës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe lexuesve të tij të shumtë!”.
E pikëlluar për vdekjen e Musliut është shprehur edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi. Vdekjen e tij Dumoshi e konsideron humbje të madhe për kulturën dhe artin në përgjithësi.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të poetit, publicistit, kritikut letrar dhe studiuesit Ramadan Musliu.
Kontributi i Ramadan Musliut ishte dhe do të mbetet shumëdimensional. Ai ishte njëri prej kritikëve letrarë më të dalluar të letrave shqipe, si poet solli poezinë me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, e si publicist qe i spikatur dhe me dije të thellë kulturore.
Vdekja e tij e hershme është humbje e madhe për kulturën dhe artin në përgjithësi në Kosovë.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin kulturor në Kosovë dhe për të gjithë ata që patin rastin ta njohin”, ka shkruar Dumoshi.
Krijimtaria e pasur dhe karriera e Ramadan Musliut përfshin:
1993 – 2004 Punoi si redaktor kulture e pastaj edhe si drejtues i të përditshmes “Rilindja”, botimi i Tiranës. Gjatë kësaj periudhe drejtoi Shtepinë botuese “Eurorilindja”.
2003 – 2004 Drejtoi revistën letrare “Kalendari letrar”.
2004 – 2007 ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.
2008 – 2010 Punoi si këshilltar politik i ministrit të kulturës në Qeverinë e Kosovës.
Botoi pesë libra me studime dhe kritikë letrare:
1990 – “Mbindërtimi poetik”, Prishtinë;
1998 – “Konfiguracione narrative”, Tiranë;
2005 – “Estetikja e dallueshme”, Prishtinë;
2010 – “Ekskurs në letërsinë për fëmijë”, Shkup;
2012 – “Tangjenta letrare”, Prishtinë;
1997 – “Vetëripërtëritja e totalitarizmit”, Tiranë, libër publicistik
Autor i pesë librave me poezi:
1981 “Parodia e trupiut”, Prishtinë;
1985 “Shqisa e gjashtë”, Prishtinë;
1987 “Pasqyra e të rrëfyerit”, Prishtinë,
1996 “Kënga e sibilave”, Tiranë,
2004 “Në zemrën e gjërave”, Prishtinë
Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, rumanisht, frëngjisht, serbisht, maqedonisht slllovenisht dhe është prezantuar në antologjinë e poezive ndërkombtare për vitin 2010 dhe është fitues i disa çmimeve letrare./ GazetaMetro