Loading…

Vdekja e dyshimtë e 4 vjeçes në QKUK, reagon më në fund ministri Vitia: Të merren masa kushdo që është përgjegjës

  • 21/02/2024 | 16:10

Vdekja e dyshimtë e 4 vjeçes në QKUK, reagon më në fund ministri Vitia: Të merren masa kushdo që është përgjegjës

Pas vdekjes së vajzës 4 vjeçare në rrethana krejt të paqarta deri më tani e cila po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK), pasi që kishte ankesa shëndetësore, ka reaguar më në fund edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shkruan Gazeta Metro.


Vitia ka thënë se është informuar për përvojën e prindërve të viktimës nga deklaratat e tyre publike.

“Humbja e jetës së vajzës 4 vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve. Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike.”, tha Vitia.

Ai gjithashtu tha se kushdo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësorë duhet të ketë masa.

Ndërsa ka bërë thirrje ndaj organeve të drejtësisë që sa më parë të hetohet çdo detaj.

“Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë. I bëj thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve!”, ka shkruar Vitia tutje.

Duhet theksuar se sot janë deklaruar edhe prindërit e të ndjerës, duke thënë se për vdekjen e vajzës së tyre janë informuar vetëm përmes rrjetave sociale.

Nëna e 4-vjeçes së ndjerë, tha se kur vajza e saj u nis për tu trajtuar në Prishtinë, autoambulanca nuk e ka marrë me vete, dhe pasi ajo ka vdekur askush nga stafi i spitalit nuk e ka njoftuar për vdekjen e saj.

“Autoambulanca ka ikur, nuk na ka marrë me vete, ne i thoshim na merr me vete, nuk më kanë marrë. Më thanë; ‘Jo nuk bën’ ”.

“Që vajza na vdekur e kemi marrë vesh në telefona, nuk na kanë treguar. Përmes Facebookut e kanë qitë, as nuk e kam ditur”, shtoi ajo në “Kosova today”, emisionin e Klan Kosovës.

Ajo tha se nuk i janë treguar shkaqet e vdekjes së vajzës, veç se në Prishtinë i është thënë që vajza ka virus. Nëna e 4-vjeçares thotë se nuk e di sigurt shkakun e vdekjes, por se një apo dy javë më herët e ndjera i ishte ankuar për dhimbje të barkut.

Ndërsa, Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë përmes një reagimi të mërkurën ka thënë se për vdekjen e 4-vjeçares pati mbikëqyrje profesionale mjekësore.

Spitali “Isa Grezda” në Gjakovë ka thënë se mjekimi i saj u krye me shumë profesionalitet.

“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar. Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

Ata thonë se i kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm autoriteteve që nga pranimi i rastit e deri në referimin e pacientes.

“Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen”, thuhet në reagim.

4 vjeçarja ka vdekur në QKUK, ku ishte dërguar nga Spitali Rajonal i Gjakovës, pasi ishte përcjellur në gjendje të rëndë shëndetësore. Familjes, mjekët në Gjakovë i kishin thënë se ajo kishte lëndime në trup, që dyshohet se i kishte marrë nga rrahja prej një të mituri, por  pas vdekjes së saj në QKUK, shkak i vdekjes i ishte përmendur një tjetër gjë.

Ndërsa siç ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh, po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga 17 shkurti. Më 19 shkurt ajo vdiq, ndërsa trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore./gazetametro.net

Nëna e 4-vjeçares: Për vdekjen e vajzës u njoftova përmes facebookut, e kishin numrin tim por nuk më telefonoi askush

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë