Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) vazhdon të mbajë inate me gazetarët sportivë që vazhdimisht publikojnë skandalet që ndodhin brenda shtëpisë së futbollit kosovar, shkruan Gazeta Metro.
Siç ndodh tash e një kohë, FFK edhe një herë tjetër nuk ka akredituar gazetarin e Metros, Elion Nuza, tani për ndeshjen e sotme kundër Andorrës që luhet në ‘Fadil Vokrri’ nga ora 20:45.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, duke kujtuar se edhe në të kaluarën kishin vepruar njëjtë.
Krejt kjo për shkak të raportimeve nga Gazeta Metro për skandalet në institucionin më të lartë të futbollit në vend dhe kryetarit të saj Agim Ademi.
Në anën tjetër, Gazeta Metro mëson se as disa gazetarë të mediave tjera nuk janë akredituar e disa të tjerë nuk kanë marrë mundin as të dërgojnë kërkesë për akreditim, pasi më herët ju ishte refuzuar kërkesa.
Përveç çështjes së akreditimit, gazetarët kritikë ndaj punës në FFK po ashtu nuk marrin asnjëherë përgjigje nga pyetjet e dërguara lidhur me tema të ndryshme.
Duhet cekur se, i njëjti institucion në Kuvendin Zgjedhor dhe atë për ndryshimin e statutit nuk kishte lejuar pjesëmarrjen e gazetarëve. Për këtë kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). /gazetametro.net