Loading…

Vazhdojnë përplasjet LDK-VV: Bulliqi e quan Mustafën ‘xhonturk’

  • 11/03/2020 | 11:08

Vazhdojnë përplasjet LDK-VV: Bulliqi e quan Mustafën ‘xhonturk’

Kandidati për kryetar të komunës së Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi në një intervistë për Kosovapress, duke shpalosur programin qeverisës, ka komentuar akuzat që kryetari i LDK-së, ka bërë ndaj tij.


Me këtë rast Bulliqi tha se arsyeja që këto akuza po bëhen në kohë të fushatës zgjedhore është për faktin se, LDK ka frikë nga ai pasi është më i përgatitur dhe i duhuri për këtë komunë.

Me këtë rast Bulliqi nuk ngurroi ta quajë Mustafën “xhonturk” i LDK-së për shkak se siç tha ai, Mustafa është njëri prej njerëzve që më së paku ka të drejtë të flasë për LDK-në sepse ka ardhur shumë vonë në këtë parti për të mos thënë nuk ka qenë asnjëherë.

“Është një frikë e madhe e cila e ka kapluar LDK -në, në nivelin qendror dhe nivelin lokal sepse e kanë parë që ne në Podujevë garojmë me kandidaturë serioze dhe vullneti qytetar duket që është kah shkon në drejtim të ndryshimit dhe këtë ndryshim, as Isa Mustafa, as Agim Veliu askush tjetër nuk mund ta ndal për arsye se procesi është i ndryshimeve, e ardhmja është për rininë prandaj kjo është frika e këtyre akuzave, madje Isa Mustafa në një formë ka ra në marre për krejt procesin e veprimeve të cilat i ka bërë deri sot sepse opinioni publik dhe qytetarët e vendit i dinë veprimet e tij dhe ndoshta është njeri prej njerëzve që më së paku ka kompetencë për të folur për LDK-në sepse realisht Isa Mustafa është një “xhonturk” brenda LDK-së sepse është një njeri shumë vonë i ardhur në LDK për të mos thënë s’ka qenë asnjëherë ka LDK-ja”, tha Bulliqi.

Bulliqi foli edhe për kundërkandidatët të cilët janë në garë për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Podujevës, ku për Nexhmi Rudarin, kandidatin e LDK-së tha se nuk e ka besimin as në lagjen e tij e jo më të qytetarëve të Podujevës.

Ndërsa për kandidatin e PDK-së, Naim Fetahu, u shpreh se nuk është kandidat serioz dhe se nuk është kandidat premtues që mund të qeverisë Podujevën.

“Kundërkandidati im nga radhët e LDK-së është një djalë i cili është i njohur për Llapin dhe prej cilit djalë Llapi ka pasur fare pak të mira deri sot, në radhë të parë është një kandidat që nuk e ka besimin as në lagjen e tij e të mos flasim te qytetarët e Podujevës, duke pasur parasysh serivilitetin në shkallë të lartë në punën që ka treguar dhe angazhimin e tij deri tash, nuk është kandidat premtues që meriton të qeveris në komunën tonë. Ndërsa kandidati i dytë po ashtu është një kandi dat që disa herë është dalë në gara zgjedhore në Podujevë dhe dihet cili është niveli i votave që ka marrë, pra nuk është kandidat serioz”, u shpreh Bulliqi.

Me këtë rast Bulliqi për Kosovapress nuk la pa komentuar edhe ish-kryetarin e komunës së Podujevës Agim Veliun, për të cilin tha se qeverisja e tij ka qenë me shumë defekte dhe që ka lënë shumë pasoja në këtë komunë.

Bulliqi momentin e largimit të Veliut nga Podujeva e cilëson si moment kritik, e krejt kjo sipas tij, për shkak se atë kohë ishte “vlugu” i realizimit të projekteve të cilat ky i fundit i kishte premtuar në zgjedhjet e vitit 2017 dhe i njëjti vendos të ikë prej Podujevës, duke i shkaktuar vendit gati gjysmë milionë euro buxhet për të shpenzuar për shkak të ndërrimit të karriges nga niveli lokal në nivel qendror.

“Në radhë të parë kemi të bëjmë me një kandidat i cili për këto 20 vite, pothuajse ka qeverisë në Komunën e Podujevës dhe rezultatet e asaj qeverisje i hasim gjithandej komunës sonë, me shumë defekte dhe shumë probleme dhe ajo që është shumë e rëndësishme momenti kur ik nga qeverisja komunale, një moment tepër kritik për qytetarët e Podujevës, për faktin që atëherë kur ishte vlugu i projekteve që duhej të realizoheshin të gjitha ato të cilat i kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, i njëjti vendos që të ikë prej Podujevës dhe t’i lejë qytetarët dhe t’i gënjejë në atë votë të cilën ju ka kërkuar më herët që ta qeverisë si duhet vendin, e dyta dëmi që i shkaktohet vendi nevojiten gati gjysmë milionë euro buxhet për të shpenzuar për shkak se një kandidat apo individ i caktuar dëshiron të ndërrojë karrigen prej nivelit lokal në n ivel qendror”, u shpreh ai.

Bulliqi tha se qytetarët e Podujevës duhet ta votojnë atë për shkak të përgatitjes solide, profesionale dhe përvojës që ka në dy nivelet e qeverisjes në nivelin lokal edhe në nivelin qendror.

Ai tha se për këto dy vite mandat sa kanë mbetur në komunën e Podujevës do të ketë ndryshime të mëdha si në administratën komunale, arsim, shëndetësi, kulturë, rini dhe sport.

“Profesor Bulliqi në radhë të parë ka një përgatitje solide profesionale, ka një përvojë në të dy nivelet e qeverisjes edhe në nivelin lokal edhe në nivelin qendror dhe me punën dhe angazhimin e tij deri sot ka treguar që dinë të qeverisë, të jetë menaxher i mirë dhe dinë që të arrijë rezultate në punën e tij me administratë…Ne kemi hartuar me ekspertët tanë një plan të punës për këtë periudhë të mandatit të mbetur i cili fokusohet duke filluar nga administrata komunale pastaj arsimi, shëndetësia, kultura, rinia, sporti, zhvillimi e kështu me radhë”, u shpreh ai.

Ndryshe, zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës mbahen me 15 mars dhe bëhen pasi që kryetari i kësaj komune, Agim Veliu ka dhënë dorëheqje nga detyra për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë