Janë familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të cilët nuk po marrin përgjigje ende për rreth 1500 e më shumë persona që s’dihet ende gjë për fatin e tyre.
Pakënaqësitë i shfaqi edhe njëherë sot Bajram Qerkini nga Mitrovica, i cili ishte i pranishëm në një takim të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ku publikuan aktivitetet e vitit 2016.
Qerkini kërkoi nga kryetari i këtij komisioni Prenk Gjetaj, arsyen se pse nuk është mbajtur takimi i jashtëzakonshëm i cili është propozuar për të diskutuar për personat e pagjetur.
“E dua përgjigjjen pse nuk është e mundur të mbahet takimi. Nuk i dua diskutimet sot, për atë që duhet të bëhet një takim i veçantë”, u shpreh kryetari i familjarëve.
Ai, duke këmbëngulur që ky takim të mbahet brenda këtij viti, kryetari Gjetaj, i tha Qerkinit që takimi do zhvillohet në fillim të vitit 2017.
Prenk Gjetaj gjatë këtij takimi prezantoi rezultatet e këtij viti dhe lokacionet të cilat janë gërmuar dhe takimet e mbajtura nga ky komision rreth kësaj çështje.
Rezultatet e këtij raporti tregojnë se gjatë këtij viti janë gërmuar 15 lokacione të ndryshme në Kosovë dhe Serbi, në të cilat dyshohej se mund të kenë mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovës, të vitit 1998-1999.
Gjashtë lokalcione të gërmuara kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore, ndërsa nëntë lokacione të tjera kanë rezultuar pa asnjë gjetje.
Duke prezantuar këto lokacione Gjetaj, përmendi edhe gërmimin në Kampusin Universitar të Universitetit të Prishtinës, duke thënë se edhe pala serbe ka qenë e interesuar për këtë lokacion dhe ka qenë pjesmarrëse gjatë gërmimeve si vëzhguese.
Në vitin 2016’të komsioni ka mbajtur shtatë takime të rregullta dhe disa takime konsultative, gjithashtu ka vazhduar bashkëpunimet me institucione të angazhuara në këtë proces.
“Janë mbajtur tri seanca, njëra me 25 mars në Beograd, e dyta me 8 qershor në Beqiq të Malit të Zi, dhe tjetra me 2 shtatorë, e cila ishte paraparë, por në mungesë të anëtarëve të komisionit nuk është realizuar”, ka thënë Gjetaj./gazetametro.net