Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha, në prag të ndeshjes me Maqedoninë e Veriut ka thënë se së bashku çdo send është i mundshëm, transmeton Gazeta Metro.
Kosova më 8 tetor zhvillon ndeshjen më të rëndësishme deri më tani në histori, ndeshjen gjysmëfinale ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup në kuadër të ‘play-off’-it të Ligës së Kombeve.
Nëse Kosova arrin që të shënojë fitore, do të kalonte në finale të fazës së ‘play-off’-it, aty ku ‘Dardanët’ mund të takohen me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë dhe fitorja në finale do siguronte pjesëmarrjen historike për në Kampionatin Europian.
Në prag të ndeshjen ndaj maqedonasve, Valon Berisha ka bërë një postim në llogarinë e tij zyrtare në ‘Instagram’, duke shkruar: “Kosova, luftë dhe sfidë e madhe po na pret, së bashku çdo send është i mundshëm”.
Ndryshe, ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës zhvillohet nesër (e enjte) me fillim prej orës 20:45 në stadiumin ‘Todor Proeski’. /gazetametro.net