Është ndarë nga jeta Kongresmeni Eliot Engel, një ndër miqtë më të mëdhenj dhe më të qëndrueshëm të Kosovës. Për më shumë se tri dekada në Kongresin Amerikan , ai ishte zëri më i fuqishëm i Kosovës në Washington. Që nga vitet ’90, në kohët më të vështira për popullin tonë, Engel ishte ndër të parët që kërkoi ndërhyrjen ndërkombëtare për të ndalur dhunën dhe spastrimin etnik në Kosovë.
Alush Gashi
Ai ishte ndër mbështetësit kryesorë të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe një nga avokatët më të vendosur për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Përkushtimi dhe miqësia e tij e palëkundur ndaj popullit shqiptar nuk do të harrohen kurrë. Më kujtohet ai moment i fuqishëm më 6 qershor 1996, në Prishtinë, kur Kongresmeni Engel qëndroi përkrah Ibrahim Rugovës për të ngritur flamurin amerikan në Qendrën Amerikane të Informacionit.
Gjatë atyre viteve të vështira të shtypjes kundër shqiptarëve në Kosovë, nën regjimin e Beogradit, ky akt simbolizoi shpresën, solidaritetin dhe premtimin se liria ishte në horizont. Isha me fat që, vite para këtij momenti historik, në emër të Kosovës, të isha dëshmitar para Komisionit Amerikan për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (U.S. Commission on Security and Cooperation in Europe, e njohur si Komisioni i Helsinkit i SHBA-së), duke kërkuar hapjen e Qendrës Amerikane të Informacionit.
Le të vazhdojë trashëgimia e tij të na frymëzojë të gjithëve dhe kujtimi i tij le të mbetet i përjetshëm.
Kosova humbi një zë të fuqishëm, një aleat të palëkundur dhe një njeri që e kishte Kosovën në zemër. Siç kishte thënë vetë: “Asnjë vend nuk ma ka prekur zemrën më shumë se Kosova.”
Kisha privilegjin që, së bashku me mikun tim Harry Bajraktari, të punonim me Kongresmenin Engel që nga ditët e para. Faleminderit dhe lamtumirë, miku im Eliot.
Foto e vitit 1991, në New York, në prag të 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Foto e vitit 1996, në Prishtinë – ngritja e flamurit amerikan.

(Autori është njëri nga themeluesit dhe veteranët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.)