Mbrojtësi anësor, Armend Thaçi pritet të luajë sot në ndeshjen kundër ish-ekipi të tij, FC Prishtina, shkruan Gazeta Metro.
Sot në Suharekë me fillim nga ora 14:00, luhet derbi Ballkani – Prishtina.
Në ndeshjen e fundit që Ballkani zhvilloi në Mitrovicë ndaj Trepçës ’89, mbrojtësi anësor, Armend Thaçi u lëndua shumë keq dhe madje u detyrua ta lëshojë fushën në minutën e ’12’të të lojës.
Burime të Metros brenda klubit suharekas, bëjnë me dije se Thaçi ka marrë konfirmimin e trajnerit Ismet Munishi që të luajë në ndeshjen ndaj ish-ekipit të tij Prishtinës, ku ishte aty për disa sezone.
“Po Armend Thaçi sot luan ndaj Prishtinës, por ndoshta nuk është në fushë nga fillimi i ndeshjes”, ka thënë shkurt ky burim i Metros.
Edhe nga fotografitë e publikuara dje nga faqja zyrtare e Ballkanit, Thaçi shihet duke u stërvitur me ekipin, por që ai ishte i vetmi që stërviste me atlete të thjeshta dhe jo me ato sportive.
Kujtojmë që Armend Thaçi ishte befasia e këtij afati kalimtar, kur u transferua nga Prishtina në drejtim të Ballkanit dhe madje u bë njëri ndër futbollistët më të paguar në Superligë. /gazetametro.net