Asgjë e re. Shefqet Krasniqi, aspak befasisht, ka botuar sërish disa libra të rinj në këtë muaj të Ramazanit, duke e vazhduar traditën e publikimit të librave në muajin më të shenjtë të myslimanëve. Më saktësisht, z. Krasniqi, hoxhë goxha i njohur, ka botuar tre libra të rinj, të cilët janë komentime mbi tri sure (kaptina) të veçanta të Kuranit (Ankebut, Rrum dhe Llukman), duke e zgjeruar edhe më shumë korpusin e shkrimeve të tij.
Para shumë burrave të mbledhur “truq” në një restorant, që është edhe sallë dasmash, që mban emrin “Onix Palace”, Krasniqi promovoi tri librat e tij. Por, përtej librave e ilahive nganjëherë bezdisëse të Adem Ramadanit, ish-këngëtar i shndërruar në ilahist, në sy ra një gjë tjetër.
Në iftarin e Ramazanit të vitit 2023, kishte shumë pak politikanë kosovarë që zgjodhën të marrin pjesë në darkën e shtruar nga imami Krasniqi. Nuk dihet pse saktësisht ndodhi embargoja e politikanëve ndaj iftarit të Krasniqit, megjithatë dy janë supozimet kryesore.
E para, hoxhë Krasniqi nuk dërgoi ftesa tek politikanët e rëndësishëm, përfshirë deputetët konservatorë të VV-së; e dyta, nën supozimin që hoxhë Krasniqi i ka ftuar, atëherë politikanët kosovarë ose kanë refuzuar të shkojnë, ose kanë përtuar të shkojnë. Ndoshta, mund të ketë edhe një shpjegim të tretë: adminët e faqës së hoxhë Krasniqit zgjodhën të mos i postojnë fotografitë e politikanëve (një supozim me pak gjasa).
Natyrisht, gra s’kishte fare, ndonëse z. Krasniqi, që ishte kritikuar edhe vitin e kaluar për ndarje e diskriminim gjinore, kishte premtuar të organizojë një iftar edhe me gra (të cilin e kishte organizuar ditë më vonë vetëm me gra).
Kush mori pjesë?
Sipas kolazhit të fotografive, që është pëlqyer 11 mijë herë, në iftar morën pjesë hoxhollarë, biznismenë e pak, shumë pak politikanë në krahasim me vitin e kaluar, ku u panë 6 deputetë. Sigurisht prezent ishte edhe një ish-këngëtar me emrin Adem, e mbiemrin Ramadani. Le të fillojmë nga më e befasishmja: mungesa e politikanëve, të cilët herave të kaluara nuk është se ishin pak në numër.
E gjithë redaksia ka arritur të identifikojë dy politikanë mesatarisht të njohur që ishin pjesë e iftarit të z. Krasniqit, që u mbajt disa ditë më parë (26 mars 2023). Në iftar u pa z. Abdullah Klinaku, udhëheqës i klubit (siç ai ka qef ta quaj) “Demokracia Konservatore”, një nismë që mbledh rreth vetes disa ish-politikanë të Partisë së Drejtësisë, që udhëhiqet ende (nëse realisht ekziston) nga Ferid Agani.
“Isha i nderuar të jem pjesë e Iftarit dhe promovimit të librave të dr. Shefqet Krasniqit.” – shkroi z. Klinaku në profilin e tij në Facebook.
Përveç z. Klinakut, që mbajti edhe një fjalim në këtë iftar, pjesë ishte edhe Mustafë Bajrami, “hoxha” i Albin Kurtit, që ishte anëtarësuar në VV para disa viteve. Të tjerë politikanë nuk kishte, ose së paku autori i këtij shkrimi, që mban edhe syze, nuk arriti të dallojë ndonjë fytyrë të njohur politike.
Por fjalim në iftar mbajti edhe Xhevdet Qeriqi, një nga emrat e njohur të luftës së fundit të UÇK-së, i cili ishte plagosur rëndë së bashku me heroin e kombit, Mujë Krasniqi, i njohur si komandant “Kapuqi”, gjatë kohës sa po tentonin të fusnin armë nga Shqipëria në Kosovë.
Në fotografitë e postuara nga faqja e hoxhë Krasniqit, vërehen edhe shumë hoxhollarë, përfshirë Enis Rama, Fatmir Latifi, Fadil Musliu e Metush Memedi, një imam nga Maqedonia e Veriut. Natyrisht, një tjetër mysafir nga shteti fqinj maqedonas u kujdes për të “argëtuar” të pranishmit në sallën e quajtur “Onix Palace”, ku mënyja e Ramazanit, sipas vetë faqes së këtij restoranti, kushton nga 10 deri në 15 euro për person.