Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë deklarata të ashpra ndaj Iranit, duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj forcave detare të SHBA-së në zonën e Ngushticës së Hormuzit do të pasohej me një reagim të rëndë ushtarak, transmeton Gazeta Metro.
Ai u shpreh se “Irani do të fshihet nga faqja e dheut” nëse prek anijet amerikane që janë pjesë e operacionit për hapjen dhe sigurimin e korridorit detar (Fox News, 4 maj).
Sipas tij, marina amerikane është aktualisht e angazhuar në një nga misionet më të mëdha detare të realizuara ndonjëherë, me synimin për të nxjerrë në mënyrë të sigurt qindra anije tregtare që kanë mbetur të bllokuara në këtë nyje strategjike të transportit global të naftës.
Derisa mbi 800 anije dhe rreth 20 mijë anëtarë ekuipazhi ndodhen ende në zonë, kurse shumë të tjera janë devijuar për shkak të rrezikut në rritje.
Trump gjithashtu deklaroi se Teherani po tregon më shumë gatishmëri për dialog sesa më parë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë epërsi të dukshme ushtarake ndaj Iranit.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë reaguar duke paralajmëruar se do të sulmojnë çdo anije ushtarake amerikane që i afrohet Ngushticës së Hormuzit.
Në një zhvillim paralel diplomatik, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i ka bërë thirrje Emirateve të Bashkuara Arabe që të shmangin mbështetjen e zgjidhjeve ushtarake në këtë krizë. Ai theksoi në platformën X se “nuk ka zgjidhje ushtarake për situatën aktuale” dhe shtoi se përpjekjet për dialog po vazhdojnë me ndërmjetësim rajonal, përfshirë edhe Pakistanin (REL).
Ai paralajmëroi gjithashtu se përfshirja në përshkallëzim mund ta rëndojë më tej situatën, duke i kërkuar si SHBA-së ashtu edhe vendeve të rajonit të tregojnë kujdes.
Në të njëjtën kohë, tensionet mes Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe janë rritur, me akuza të ndërsjella për sulme dhe bashkëpunime ushtarake me palë të treta. Autoritetet emiratase kanë deklaruar se janë goditur nga sulme me raketa dhe dronë, ndërsa kanë paralajmëruar se do të mbrojnë sovranitetin e tyre “pa hezitim”./gazetametro.net