Një tren udhëtarësh i linjës së rregullt Kralevë – Mitrovicë e veriut sot arriti të hyjë në Kosovë pa problem, dhe atë vetëm një ditë pasi treni i nisur nga Beogradi u kthye mbrapa, pas një ndalimi katër orësh në Rashkë.
Ky tren i cili qarkullon në këtë linjë që nga viti 2013, duket se nuk paraqet problem sikurse ai i djeshmi, i cili ishte ngjyrosur me parulla nacionaliste dhe ikona të kishave ortodokse serbe, shkruan gazetametro.net.
Al Jazeera shkruan, se edhe pse dje autoritetet në Beograd në disa raste theksuan se linja hekurudhore mes veriut të Kosovës dhe Serbisë qendrore po ndodhte për herë të parë pas 18 viteve, njerëzit në veri të Kosovës, kanë shfrytëzuar këtë linjë të rregullt hekurudhore, që operon në kuadër të hekurudhave të Serbisë, ashtu siç ka raportuar edhe gazetametro.net të shtunën në një tekst “Asgjë e re, trenat nga Serbia në Kosovë kanë hyrë vazhdimisht”.
Treni donacion rus për Serbinë që dje u nis nga Beogradi për në Mitrovicë e që përmbante në 21 gjuhë fjalinë “Kosova është Serbi”, nuk hyri në Kosovë pasi në pikën kufitare në Jarinje dolën forca të shumta të Policisë së Kosovës për ta ndaluar. Por, në këtë formë nuk është vepruar me trenat që prej vitesh hyjnë në veri nga Kraleva, e që gjithashtu nuk kanë leje nga Hekurudha e Republikës së Kosovës. /gazetametro.net