Fotografitë e “tre shkelësve të Kushtetutës”, u.d. presidentes Albulena Haxhiu, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, si dhe kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari, janë vendosur në dyert e Kuvendit nga të rinjtë e PDK’së përmes një aksioni simbolik.
Ata aty kërkuan vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa për tre bashkëpartiakët thanë se shkelën Kushtetutën.
Kryetarja e RDK-së, Arbnore Salihu, tha se përmes këtij aksioni synojnë të rikujtojnë obligimet që burojnë nga Kushtetuta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.
“Në dyert e Kuvendit kemi vendosur tre shkelësit e Kushtetutës. Tre kryesorët. Për me i tregu tri gjëra: çka thotë Kushtetuta, çka ka thënë Gjykata Kushtetuese në vitin 2025 dhe çka thotë Rregullorja e Kuvendit. Nuk ka nevojë me shpik rregulla të reja. E kur rregullat janë shumë të qarta dhe afatet janë të ditura”, tha ajo.
Salihu ka thënë se Kushtetuta përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Rregullorja përcakton afatin për vazhdimin e seancës konstituive.