Në tre ditët e fundit nuk është raportuar asnjë rast i ri pozitiv me Covid-19 në komunën e Malishevës, komunë kjo që për ditë të tëra ka qenë vatra e këtij virusi vdekjeprurës, transmeton Gazeta Metro.
Edhe pse shumë persona nga kjo komunë, të dyshuar se janë infektuar me këtë virus janë testuar vazhdimisht,që nga data 9 prill kur edhe u regjistruan dy raste të reja em koronavirus në Malishevë, nuk është raportuar asnjë rast i ri me koronavirus.
Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj në një prononcim për media ka thënë se janë bërë edhe disa teste por të gjitha kanë rezultuar negativ, duke shtuar se shpreson që ta kalojnë sa më shpejtë këtë virus.
“Edhe disa teste janë bërë, për momentin gjendja është e mirë në këto ditë, nuk dihet se çka ndodh më tutje. Po të gjitha testet e fundit kanë dal negativ, shpresojmë së sa më shpejtë ta kalojmë këtë situatë. Kemi edhe raste të shëruara, përpos një rasti me vdekje qe e kemi pas. Te gjithë të tjerët janë në gjendje të mirë”, ka thënë Begaj.
Ndërkaq, zyrtari për komunikim i kësaj komune, Artan Paçarizi në një përgjigje për Gazetën Metro, ka shtuar se numri i të shëruarve në këtë komunë deri më tanika arritur në 15.
“Numri i të shëruarve tek ne deri më sot është 15, të konfirmuar”, ka thënë Paçarizi.
Kujtojmë se në komunën e Malishevës gjithsej janë konfirmuar 66 raste me koronavirus, ndërsa një prej tyre ka ndërruar jetë. /gazetametro.net