Një aksident i rëndë malor ka ndodhur në rajonin Kabardino-Balkaria të Rusisë, ku një ortek ka goditur një grup alpinistësh, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur, transmeton Gazeta Metro.
Sipas autoriteteve lokale të emergjencës, ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 17:00, kur masa e borës është shkëputur nga Mali Mizhirgi dhe ka përfshirë grupin prej 33 personash.
Nga incidenti kanë humbur jetën të paktën 11 alpinistë, ndërsa gjashtë të tjerë kanë pësuar lëndime. Dhjetë persona kanë mundur të largohen vetë nga zona malore pas goditjes së ortekut.
Ndërkohë, për gjashtë alpinistë nuk kishte menjëherë informacion për fatin e tyre, duke nxitur një operacion të gjerë kërkimi dhe shpëtimi. Më shumë se 50 pjesëtarë të shërbimeve të emergjencës janë angazhuar në terren për të gjetur personat që mund të kenë mbetur të bllokuar, raporton Reuters.
Operacioni po zhvillohet në kushte të vështira, pasi ekipet përballen me terren të rrezikshëm dhe mundësi për shkëputje të orteqeve të tjera. Mali Mizhirgi është ndër majat më të larta të Kaukazit të Veriut./gazetametro.net