Një punëtor 45-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në një kantier hekurudhor në Gjermani, transmeton Gazeta Metro.
Sipas medias Bild, punëtori ishte duke kryer detyrat e tij në një projekt të Deutsche Bahn, kur është goditur nga një mjet i rëndë pune. Për shkak të lëndimeve të marra, ai nuk ka arritur të mbijetojë dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Për rastin kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit. Deri më tani, autoritetet nuk kanë gjetur prova që ngjarja të ketë lidhje me ndonjë veprim të qëllimshëm apo vepër penale.
Pas aksidentit, ekipet e mbështetjes psikologjike u kanë ofruar ndihmë punëtorëve të tjerë që ishin dëshmitarë të ngjarjes.
Aksidenti ka ndodhur në kuadër të punimeve për modernizimin e linjës hekurudhore Ruhr-Sieg, e cila lidh zonat mes Hagenit dhe Siegenit. Projekti në Kirchhundem, në landin Nordrhein-Westfalen, përfshin përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore, përfshirë urat, binarët dhe masat mbrojtëse nga zhurma./gazetametro.net