Bashkia e Tiranës ka ngritur shtabin e emergjencave për të menaxhuar dhe përballuar të gjitha vështirësitë që mund të vijnë nga përkeqësimi i motit në ditët në vijim.
Pas paralajmërimeve të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, edhe i pari i Tiranës, Erion Veliaj, ka mbledhur ekipet e emergjencës për të bërë planin për përballimin e situatës nga moti i keq në Tiranë.
“Përveçse është një detyrim ligjor, është një detyrim njerëzor për të përballuar një situatë e cila është e pazakontë krahasuar me situatat e tjera të emergjencave që ka përballuar Bashkia e Tiranës. Teksa me përmbytjet jemi mësuar dhe dimë si menaxhohet situata, kjo është diçka e pazakontë, duke qenë se parashikohet që temperaturat të ulen shumë gjatë fundjavës”, tha Veliaj, njofton komunikata e Bashkisë së Tiranës.
Veliaj ka kërkuar që të gjitha strukturat, ambientet dhe mjetet që Bashkia e Tiranës disponon të jenë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë çdo individi apo familje që do jetë në vështirësi.
Veliaj tha se janë marrë masat që ndërmarrjet e bashkisë, sidomos në zonat e thella të Tiranës, duke filluar nga sot, të bëjnë shpërndarjen e kripës në rrugë, si dhe vendosjen e të gjithë ekskavatorëve në pikat kryesore ku priten problematika. Ai u bëri thirrje qytetarëve të evitojnë në maksimum daljet, sidomos në orët e vona kur i ftohti bëhet më problematik.