Rastet e dhunës në familjet kosovare nuk po kanë të ndaluar. Në shumicën prej tyre viktima janë gratë e vajzat, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre. E një rast i tillë është raportuar sot në Prishtinë.
Sinjali mëson se një 30-vjeçare është kërcënuar nga bashkëshorti i saj i cili jeton në diasporë, se posa të vijë në Kosovë do t’ia marrë vajzën të cilën e kanë nga martesa e tyre. 30-vjeçari po ashtu i ishte drejtuar asaj me fjalët “thuj babës tënd që tash le ta blen nji allti a nji kallash” dhe sipas 30-vjeçares ai kishte pohuar se për këtë po ndodhin vrasjet në Kosovë.
Ajo ka deklaruar në Polici se është ndjerë e kërcënuar dhe e frikësuar nga fjalët e bashkëshortit të saj.
Prokurori kompetent ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Dhunë në familje’ dhe masat tjera të merren pas intervistimit të personit të dyshuar.
Kujtojmë se shumë raste të dhunës në familje kanë përfunduar me fatalitet për gratë të cilat përkundër denoncimit në organet kompetente, nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur institucionale.