Loading…

‘Thuaj atij që do t’i shkatërrojmë’: Abramovich ndërmjetës mes Zelensky e Putin, me ndihmën e Erdogan

  • 28/03/2022 | 16:51

‘Thuaj atij që do t’i shkatërrojmë’: Abramovich ndërmjetës mes Zelensky e Putin, me ndihmën e Erdogan

Oligarku rus, Roman Abramovich, që deri para pak ditësh ishte pronar i klubit Chelsea para se t’i sanksionoheshin asetet kryesore nga qeveria britanike e Bashkimi Europian, sot është duke luajtur rolin ndërmjetës mes Zelenskyt e Putinit, në përpjekje për të zgjidhur konfliktin që ka tronditur tërë botën, transmeton Gazeta Metro.


Që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë, miliarderi hebre është angazhuar në bisedime prapa dyersh me dy liderët që sot e gjejnë veten në luftë, e me ndërmjetësues të tjerë ukrainas, rusë dhe turq, duke bërë të pamundurën për t’i dhënë fund katrahurës që aktualisht po zhvillohet në vendin ku lindi nëna e tij.

“Thuaj atij që do t’i shkatërrojmë ata”, kishte qenë përgjigjja e Putin, duke iu referuar presidentit ukrainas, kur mori propozimin për ndalim të luftës nga Abramovich, i cili kishte udhëtuar për në Rusi nga Turqia të mërkurën e kaluar, për t’i dërguar Putinit një letër nga presidenti i Ukrainës.

Abramovich është takuar disa herë në Stamboll me Rustem Umerov, një tatar i Krimesë që është anëtar i parlamentit ukrainas, i cili sipas The Times është përfaqësues i Ukrainës në këto bisedime.

Përfshirja e këtij të fundit është e një veçantie interesante, pasi që një nga interesat kryesore të Ankarasë në Ukrainë është padyshim popullata tatare në Krime, e cila ndanë lidhje kulturore e gjuhësore me Turqinë.

Abramovich, që përllogaritet të ketë akumuluar 5.5 miliardë funtesh pasuri në vlugun e privatizimeve në periudhën e privatizimeve, dhe kishte shërbyer edhe si guvernator i provincës së largët lindore Chukotka nga 2000 deri më 2008 në fillimet e presidencës së Putin, fillimisht si duket është motivuar nga interesi i tij personal.

Por që prej se ai ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë të efekteve të luftës në Kiev, ai tani është i vendosur me të vërtetë të ndihmojë në përfundimin e luftës që shkatërroi qytetet e Ukrainës, shkruan The Times duke cituar burimet. Irina, nëna e Abramovich, ka lindur në Ukrainë, ndërsa e bija e tij Sofia hapur ka kundërshtuar invadimin e Rusisë.

Oligarkët rus janë në gjendje pasigurie, të vetëdijshëm që pasuria dhe liria e tyre varen nga teket e Putin. Më shumë se 20 prej tyre gjenden momentalisht në Turqi, kur shtetësia mund të blihet me blerje të një prone me vlerë mbi 250 mijë dollarësh.

Abramovich nuk është sanksionuar nga SHBA ende deri tani, me gjasë për shkak të rolit të tij në negociata. Gazeta amerikane The Wall Street Journal ka raportuar se ishte Zelenskiy që ka kërkuar nga Biden të pezullojë vendimin e sanksioneve tashmë të përgatitura ndaj oligarkut rus.

Erdogan ka lidhje të mira me homologun rus, sidomos në pesë vitet e fundit, por Ankaraja mbështet Kievin në këtë luftë. Ky konflikt megjithatë i ka shërbyer presidentit të Turqisë të rindërtojë marrëdhëniet me Perëndimin, e ndërmjetësimi mes dy palëve dhe ndalja e luftës do të ishte një fitore e madhe diplomatike për shtetin turk.

Negociatat pritet të japin rezultate, përkundër përgjigjjes së Putin për letrën e Zelenskyt, me raundin e ardhshëm që do të fillojë këtë javë. Donbasi dhe Krimea do të jenë pikat më problematike, por njëherësh edhe të vetmet që mund t’i japin përfundim luftës që ka marrë dhjetëra mijëra jetë njerëzish deri më tani./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë